Hapet Panairi bletarisë “Kosova 2012”

Të enjten në Sheshin “Nëna Terezë”, nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, u bë hapja solemne e Panairit të VII-të të bletarisë "Kosova 2011".
Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, duke e shpallur të hapur panairin, tha se organizimet e tilla tashmë kanë ndikuar në ngritjen e imazhit të bletarëve dhe në promovimin e bletarisë si degë e rëndësishme e bujqësisë.
“Organizimi i këtij panairi tashmë është bërë tradicional në Kosovë, dhe në masë të madhe është duke ndikuar në ngritjen e rëndësisë së sektorit të bletarisë dhe në promovimin e të arriturave në prodhimtarinë e këtij sektori. Kërkesat e mëdha për prodhimet e bletës paraqesin nevojë për ofrimin trajnimeve dhe shërbimeve këshillimore, me qëllim të edukimit të bletarëve, sidomos për ata që për herë të parë zgjedhin si aktivitet prodhimtarin bletare, dhe ne si ministri në vazhdimësi e kemi mbështetur në këtë aspekt këtë sektor”, ka thënë Halimi.
Halimi po ashtu tha se MBPZHR-ja është duke bërë përpjekje të mëdha që sektorin e bletarisë ta përfshijë në skemat programore për mbështetje.
Në emër të bletarëve, të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Bletarëve të Kosovës, Haxhi Demukaj, i cili tha se bletaria varet shumë nga klima që dominon gjatë vitit. Ndërsa për prodhimet e mjaltës, ai theksoi se krahasuar me vitin e kaluar, ky vit ka qenë më i mirë.
“Siç dihet edhe bletaria është degë e bujqësisë, e bujqësia nuk varet vetëm nga fermeri sa punon, apo nuk punon, varet nga klima dhe kushtet të cilat krijon gjatë vitit. Ky vit ka qenë më i mirë se viti i kaluar, kështu që bletaria kosovare ka kaluar shumë më mirë se vitin e kaluar dhe prodhimi i mjaltës në këtë vit ka qenë diku rreth 15 kg, me çka nuk jemi të kënaqur, sepse mundësitë janë shumë të mëdha dhe shpresojmë që në të ardhmen do të jetë shumë më mirë”, ka thënë Demukaj.
Ndërsa bletari Sylejman Zogiani, njëherësh edhe pjesëmarrës i këtij panairi, tha për Kosovapress se mjalti në Kosovë është më cilësorë në rajon dhe sipas tij bletaria e Kosovës ka po zhvillohet me hapa shumë të sigurt.
“Ky panair ka karakter promovues, është panairi i shtatë me radhë i bletarisë së Kosovës dhe me këtë dëshmon që bletaria e Kosovës ka filluar me hapa shumë të sigurt dhe besoj që do të ketë një përparim në bletari. Duhet ta dimë që mjalti i Kosovës është më kualitativi në rajon për shkak të kushteve atmosferike dhe lartësisë mbi detare që posedon Kosova dhe dihet që mjalti është më cilësorë në rajon”, theksoi Zogiani.
Organizimi i Panairit të Bletarisë është tradicional dhe do të qëndrojë i hapur deri më 24 shtator, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Do të ketë aktivitete dhe vizita të ndryshme gjatë tërë ditës, ku do të marrin pjesë rreth 70 ekspozues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonisë, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.
Për më tepër, Kosova ka rreth 640 bletarë, me 75 mijë koshere bletë dhe prodhimtaria mesatare në vit është rreth 13 kg për koshere.