Po rritet kriminaliteti

Vetëm gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2011, prokuroritë komunale të Kosovës kanë pranuar kallëzimet penale kundër 17.028 peronave gjë që tregon një tendencë të rritjes së kriminalitetit në vend, ndërkohë që numri i lëndëve të pazgjidhura nëpër gjykata vazhdon të jetë shumë i madh.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Shtetit, Ismet Kabashi, të enjten në një konferencë për medie ka prezantuar punën e saj gjashtë mujore.
Sipas të dhënave të prezantuara në këtë raport vërehet një tendencë e rritjes së kriminalitetit në vend krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kjo e dhënë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar tregon se kemi një tendencë të rritjes së kriminalitetit te kryesit madhor të veprave penale ngase numri i të paraqiturve është për 3000 e 35 ose 38.9 për qind më shumë se sa gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar prej këtyre rasteve gjatë kësaj periudhe”, ka theksuar Kabashi.
Gjatë periudhës janar-qershor janë akuzuar 12 mijë e 675 persona, janë ngritur kallëzime penale kundër 1 mijë e 909 personave, ndaj 201 personave janë pushuar hetimet, ndaj 24 personave janë pezulluar hetimet, ndërsa ndaj 16 personave është hequr dorë në shqyrtimet kryesore.
Kabashi ka thënë se gjatë kësaj periudhe një rëndësi të veçantë Prokuroria e Shtetit i ka kushtuar veprave penale që janë kryer gjatë zgjedhjeve të fundit në vend.
“Gjatë kësaj kohe ne i kemi kushtuar një kujdes të veçantë për shkak të rëndësisë dhe rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale kundër zgjedhjeve. Mund të them se deri më 30 qershor janë akuzuar 502 persona, këto procedura penale prokuroritë i kanë filluar sipas detyrës zyrtare”, ka thënë Kabashi.
Narkotikët, trafikimi me qenie njerëzore dhe shpërdorimi i detyrës zyrtare janë çështje të cilat Prokuroria e Shtetit u ka kushtuar një rëndësi të veçantë ku për shpërdorimin e detyrës zyrtare janë zgjidhur kallëzimet kundër 359 personave.
Ndërkohë që numri i lëndëve të pazgjidhura nëpër gjykata është ende shumë i madh. Prokuroria e Shtetit ka hapur konkursin për të pranuar edhe 45 prokurorë, gjë e cila sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Shtetit do ta zgjidhë problemin e lëndëve të pazgjidhura.