E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet ankandi 10 milionë euro për bizneset që punësojnë më tepër

Sfida Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, prezanton projektin në Shkodër

Ministria e Ekonomisë parashikon lehtësi për ato biznese që mbështesin rritjen e punësimit. Duke qenë se sektori i tekstileve ballafaqohet direkt me problemet e punësimit, ministri Prifti preferoi që projektin prej 10 milionë eurosh ta prezantonte pikërisht te kompanitë e këtij sektori. Në vizitën që zhvilloi dje në Shkodër, te disa kompani që merren me prodhimin e veshjeve, ministri u njoh më nga afër me problemet që has sektori, ndërsa mbajti shënim sugjerimet për çështje e ndryshime që shqetësojnë industrinë e tekstileve.

“Nëse do të kemi mundësi t’i mbështesim më shumë këto lloj biznesesh, për të investuar më shumë, atëherë kjo mund të jetë në një periudhë krize globale një nga mënyrat më të mira për të rritur punësimin në vend”, u shpreh ministri i Ekonomisë.

Për mbështetjen e këtyre bizneseve që prodhojnë punësim, tha ministri, qeveria ka në dispozicion këtë vit një fond prej 10 milionë eurosh. Fondi do të përdoret në formën e kredive të buta për biznesin dhe qeveria synon dy apo trefishimin e tij në vitet e ardhshme.

“Ne kemi një fond prej të paktën 10 milionë eurosh këtë vit për ta përdorur për këto lloj biznesesh, për kredi të buta, kredi që nuk shkojnë më shumë se sa katër apo pesë për qind interes vjetor, sa gjysma e interesit që mund të ofrojnë bankat. është një fond, për të cilin u bëj thirrje bizneseve që shpenzojnë për teknologji, shpenzojnë për makineri e pajisje dhe që gjenerojnë punësim”, tha Prifti.
Një tjetër objektiv është shkollimi i të rinjve në profesionale, duke e ulur raportin negativ që kanë me shkollat e përgjithshme.

Raporti është pothuajse 80 me 20, në favor të shkollave të përgjithshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›