E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shrek dhe Robin Hood, premiera botërore në Imperial

Filmat Dy histori dhe personazhe të njohur po shfaqen në kohë reale në kryeqytet

Në sallat e kinemasë “Imperial” po shfaqen njëkohësisht dy premiera botërore. Dy filma me histori të njohura dhe me protagonistë të famshëm. Prej disa ditësh, në sallën nr.2 vazhdon të shfaqet “Robin Hood”, një film i regjisorit të njohur Ridley Scott, i cili bashkëpunon për të tretën herë me aktorin Russell Crowe, që këtë herë vjen në rolin e protagonistit Robin Hood, dhe përkrah tij një tjetër aktore e njohur, Cate Blanchett, në rolin e Lady Marian. Historia e njohur dhe e ekranizuar edhe më parë, vjen këtë herë në një këndvështrim të ri, si një realizim i vlerësuar nga kritika. Filmi, që në fillim ishte menduar të titullohej “Nottingham”, na çon në Anglinë e shekullit të 13-të. Robin Hood, një harkëtar i zoti, pasi kthehet nga lufta e Francës, i gjen banorët e krahinës Nottingham të përvuajtur, në kushte ekstreme për jetën e të nënshtruar nga një sherif pazarxhi (Matthew Macfadyen) dhe princi Giovanni (Oscar Isaac). Robin Hood vendos ta lirojë tokën e tij nga tirania e për këtë bashkohet me një bandë të jashtëligjshme. Por drejt kësaj beteje nuk e çojnë vetëm qëllimet e mira, por edhe dashuria për Lady Marian (Cate Blanchett), e cila dyshon në idealet e tij për të luftuar padrejtësitë. Ndërkohë, në sallën nr.2 të kësaj kinemaje, prej ditës së djeshme po shfaqet një tjetër film shumë i njohur. “Shrek Forever After” vjen premierë botërore në kinematë e Tiranës. Aventurat më të reja të personazhit shumë të njohur, Shrek, fëmijët mund t’i ndjekin në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë. Historitë janë bazuar mbi përrallën me të njëjtin titull të autorit gjerman William Steig, botuar në vitin 1990. “Shrek 1” është filmi i parë që ka fituar një çmim “Oscar” si filmi më i mirë i animuar, ndërsa “Shrek 2” i prodhuar në vitin 2004 është prezantuar në edicionin e 57-të të Festivalit të Kanës. “Shrek 3” u shfaq në vitin 2007 dhe pati po aq sukses sa dhe paraardhësit e tij. “Shrek Forever After”, ose “Shrek 4”, është cilësuar si kapitulli i fundit i sagës që filloi dhjetë vjet më parë dhe pritet të tërheqë vëmendjen e një audience të gjerë në të gjithë botën.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›