Hipoteka, arkëtimet mbi 1000 lekë vetëm në banka
Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), prej disa ditësh kanë filluar të operojnë vetëm nëpërmjet sistemit bankar për arkëtimet e vlerave të shërbimeve mbi 1000 lekë të rinj që ofron. Kjo mënyrë e re pagese vetëm nëpërmjet bankave pritet të shmangë abuzimet e mundshme në këtë institucion. Burime zyrtare nga Zyra Qendrore e
Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP), pohuan dje se kjo mënyrë e re e shërbimit të ofruar nga ZVRPP-të, mundësohet në zbatimi të Ligjit Nr. 9936, i datës 26. 06. 2008, Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, Udhëzimit të Ministrisë së Financave Nr. 1, i datës 21. 01. 2010, Për zbatimin buxhetit të vitit 2010, si edhe Urdhrit të ministrit të Financave Nr. 95, datë 11. 11. 2009, Për miratimin e faturës së arkëtimit. Në zbatim të Ligjit, Udhëzimit dhe Urdhrit të mësipërm, prej disa ditësh ZVRPP-të kanë filluar të pajisin paraprakisht të gjithë individët apo subjektet me faturë arkëtimi për të gjitha të ardhurat jotatimore ku përfshihen të ardhurat nga shërbimet që ofron çdo ZVRPP dhe gjobat, si dhe të ardhurat nga taksat lokale. Ndërkaq, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme tërheq vëmendjen se, individët apo subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen apo transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit, vetëm pasi të jenë pajisur nga ZVRPP-të me faturën e arkëtimit
Udhëzimet e Minisrisë së Financave
Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i datës 21. 01. 2010 për zbatimin e buxhetit të vitit 2010 kërkon që porsa i përket marrëdhënieve të sistemit të thesarit me njësitë shpenzuese, për të ardhurat jotatimore që krijohen gjatë vitit, njësitë shpenzuese të pajisin paraprakisht individët apo subjektet me faturë arkëtimi dhe një kopje të saj ta dërgojnë në degët respektive të Thesarit. Sipas këtij udhëzimi, individët apo subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen apo transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit. Për arkëtimet mbi 1000 lekë, institucionet buxhetore duhet të operojnë nëpërmjet sistemit bankar ose shërbimit postar nëse do të ketë një marrëveshje të institucioneve me postën. Ndërkaq, në një urdhër të datës 11/11/2009, ministri i Financave, Ridvan Bode ka urdhëruar miratimin e faturë për arkëtim. Në mbështetje të Ligjit të Buxhetit e të Udhëzimeve në zbatim të tij si dhe në kuadër të implementimit të sistemit të informatizuar të Thesarit, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, Bode ka urdhëruar përdorimin e faturës për arkëtim sipas modelit që i bashkëlidhet këtij urdhri dhe që miratohet me këtë urdhër. Faturën për arkëtim e hartojnë vetëm në përputhje me këtë format, të gjitha institucionet buxhetore që presin të përfitojnë të ardhura jo tatimore dhe të ardhura nga taksat lokale nga klientë. Institucioni plotëson saktësisht, Emrin e Bankës së nivelit të dytë ku adresohet, emrin dhe kodin e institucionit të vet, emrin dhe kodin e Degës së Thesarit ku vepron, përshkrimin e të ardhurave që priten të arkëtohen, kodin shtatshifror të llogarisë ekonomike të të ardhurave që priten të arkëtohen, shumën e të ardhurave që priten të arkëtohen. Për arkëtimin e të ardhurave klientët fillimisht paraqiten në institucion për të tërhequr faturën për arkëtim, ose e shkarkojnë atë nga faqja e internetit e ministrive apo institucioneve të linjës dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Pasi fatura e plotësuar nënshkruhet nga përfaqësuesi i institucionit dhe klienti, një kopje e saj mbetet në institucion dhe një kopje i jepet klientit për kryerjen e veprimeve të arkëtimit në bankën e nivelit të dytë të adresuar. Banka e nivelit të dytë do të pranojë arkëtime të të ardhurave jo tatimore nga klientë, vetëm nëse klienti paraqet këtë faturë. Banka, pasi e shikon të rregullt, pranon arkëtimin dhe sponton të ardhurën në kutizat përkatëse të cepit të djathtë të faturës. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen të gjitha institucionet buxhetore, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të linjës, Drejtoria e Kontabilitetit dhe Raportimit Financiar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë së Informacionit në Ministrinë e Financave.