Një flutur rreh krahët
Një kombinim fatlum rrethanash e solli rastin që të ndodhesha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të përvitshme për letërsinë nga Ministria e Kulturës, ku autorja rioshe Eir Plasari, figlia d’arte e miqve të mi Mimoza Ahmeti dhe Aurel Plasari, u vlerësua me çmimin “Migjeni”, çmim që u dha për herë të parë këtë vit për autorët e rinj. Kureshtja, shpesh, më ka cytur të shtie në dorë e të lexoj librat e shkrimtarëve të rinj, si në prozë ashtu edhe në poezi, për të qëmtuar e kuptuar se për kah po ia mban sot e gjithë ditën letërsia shqipe dhe, çka është më e rëndësishme, cila ka për të qenë e ardhmja e saj (“në qoftë se ka për të pasur ndonjë të ardhme”, do të shtonte ndokush, jo pa një fije dashakeqësie); kureshtje që në rastin e Eirit u bë e dyfishtë nga çasti që zbulova se vajza që sot studion për t’u bërë juriste, jo vetëm që kishte shkruar një libër që nuk ka më shumë se 68 faqe, të cilin botuesi guxon dhe e quan roman, por edhe kishte marrë një çmim, i cili krejt papritur e papandehur, e kishte zhvendosur në qendër të vëmendjes së medias dhe opinionit publik shoqëruar edhe me ndonjë hije skepticizmi që shoqëron rëndom, me ose pa të drejtë, pinjojtë e prindërve të shquar. Në një farë mënyre “Bërthama” e Eir Plasarit është një vepër iniciuese për letrat shqipe dhe paradoksi është që këtë gjë mund ta bënte vetëm një rishtare dhe jo ndonjë penë e sprovuar, siç jemi mësuar t’i thërrasim në mënyrë skematike dinozaurët e letrave, pavarësisht nga mosha dhe epoka së cilës i përkasin (të më falin kolegët e mi, por kjo është optika dhe imazhi që përfton mbasi ke lexuar diçka si kjo prozë që po mbaj në duar). Proza e saj nuk është thjesht e vetëm një histori dashurie homoseksualësh mes dy të rinjsh që mund të jetojnë në Tiranë, por në të njëjtën kohë mund të jetonin edhe në Tokio, Romë e një Zot e di se ku mund tjetër (çka sjell një risi në përmbajtje), pra, midis Jurgenit dhe Piterit (vini re emrat e dy karaktereve kryesorë, të cilët s’kanë asgjë lokale, ashtu si edhe pjesa tjetër e mjedisit ku jetojnë), e cila vjen e shndërrohet në një dashuri heteroseksuale për Jurgenin me një frazë që për nga eleganca do t’i kish hije çdo pene të stërholluar: “Ndihej i dobët dhe ndoshta për këtë arsye kish filluar ta tërhiqte seksi i dobët – i cili vetëm pjesërisht mund të quhej i tillë”. Po kthesa bëhet marramendëse kur, më pas, historia shndërrohet në një intrigë ndërkombëtare spiunazhi, për t’u hedhur më pas në një krim pasioni, kur Jurgeni shkon e masakron Pushtuesin për shkak të një lidhjeje të këtij të fundit me Tatjanën, me të njëjtën lehtësi që autorja i puqi bashkë dhe i shtyu të dy heronjtë në krahët e shoqi-shoqit. Edhe pse e kursyer në dialogë, autorja parapëlqen më fort monologët dhe përsiatjet e brendshme të Jurgenit, ndërkohë që gjuha e saj është e zhdërvjellët, realiste, gjithë lëng jetësor dhe me krejt koloritin sylëbyrës së jetës së përditshme, çka ngandonjëherë e bën të tingëllojë të vrazhdë e banale, siç edhe është të folurit e të rinjve të sotëm, ai i folur që ne e shpërfillim dhe e injorojmë, por që shpreh një botë të tërë aq të ndryshme nga e jona, çka i jep një dimension të ri prozës jo thjesht të Eirit, por edhe asaj shqipe në një suazë më të gjerë. Por ajo çka tingëllon më se natyrshëm në gojën e Eirit, dhe të personazheve të saj, janë shprehjet në anglisht, italisht e frëngjisht që autorja ndërkall aty-këtu, duke i dhënë një aromë më të fortë bashkëkohësie kësaj proze të gjatë, që më fort se gjithçka tjetër që kam lëçitur këta vitet e fundit më ka qasur dhe afruar me botën e të rinjve. Leximi i këtij libri është një rrugëtim i rrallë, një përvojë e pashoqe për të depërtuar në peizazhin shpirtëror të të rinjve për të eksploruar një botë nga më të padepërtueshmet dhe komplekset që mund të bëhet, e cila, e këqyrur së jashtmi, më fort se kërshëri na ngjall frikë e lektisje se mos paragjykohesh e keqkuptohesh si një qenie anakronike e primitive që kurrsesi s’mund t’i qaset e aq më pak të komunikojë me atë që mund të jetë një planet, një entitet i paprekshëm, edhe pse gjendet fare pranë nesh dhe që në një mënyre ose një tjetër është produkt i yni, thënë ndryshe, alter egoja jonë, një Unë që nuk e njohim sado të mundohemi ta këqyrim veten në pasqyrë ose duke u rrekur të zhbirilojmë ndërgjegjen ose nënndërgjegjen tonë. Në këtë roman të Eir Plasarit pulson qartë shqetësimi që ka të bëjë me ekzistencën e individit në krejt kompleksitetin e vet: në raport me veten (biseksualiteti i Jurgenit); në raport me shoqërinë (marrëdhëniet e tij neurotike me gjithçka që e rrethon); dhe marrëdhëniet me familjen (një nip e një djalë që nuk kuptohet nëse ekzistojnë përnjëmend apo janë fryt i fantazisë së tij të sëmurë); e pra, në këtë trekëndësh fatal shtjellohet drama e Jurgenit, karakterit të këtij romani postmodernist, i cili, në gjykimin tim shënon përfundimin e asaj që dikur e kam quajtur realizëm demokratik (një farë reminishence e socrealizmit të dikurshëm) dhe fillimin e një letërsie të re që, në shumë aspekte, si në formë dhe sidomos në përmbajtje përbën një risi absolute në këtë fillimshekulli. Në krye të këtij shkrimi citoja një shprehje të vjetër indiane: “Një flutur rreh krahët dhe anën tjetër të rruzullit shkakton stuhi”. E pra, kështu vjen e hyn në letrat shqipe edhe ky roman i Eir Plasarit. Po në rastin në fjalë, në një vend të përgjumur e të plogësht ku njerëzit flasin me monumentet, stuhia është e mirëpritur.
#