E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet i treti

Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest u hap të shtunën mbrëma në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Hapjen e bëri filmi ‘Falja e gjakut’ i regjisorit amerikan Joshua Marston, i cili, duke folur në gjuhën shqipe, tha se ndihet i lumtur që ndodhet në Prishtinë. Nga Alfred Beka më 25 shtator 2011 në ora 12:21

Duke defiluar nëpër tepihun e kuq para Teatrit Kombëtar, aktorët hynin një nga një apo edhe në çifte në këtë teatër për të marrë pjesë në hapjen e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest.

Megjithëse Kosova hyn në grupin e atyre vendeve të botës që më së paku prodhojnë filma, spektakli dhe magjepsja e këtij festivali i bënte aktorët të ndihen mirë dhe ta ndiejnë vetën sikurse kolegët e tyre të vendeve të tjera.

Ndryshe prej vitit të kaluar kur hapja e festivalit u bë nga një film kosovar, sivjet hapja u bë nga një film i Shqipërisë, por me regjisor amerikan. Ishte filmi ‘Falja e gjakut’, në regji të Joshua Marston, ai që e hapi PriFilmFest-in e këtij viti. Të pranishëm qenë edhe ekipi i këtij filmi, me në krye regjisorin amerikan. Ai tregoi se këtu edhe ka filluar ky film.

“Është shumë kënaqësi për ta prezantuar këtu sepse kur kemi filluar ta bëjmë filmin kemi qenë këtu në Prishtinë për të bërë shumë audicione me shumë aktorë dhe shumë të talentuar në Kosovë”, tha Marston, duke folur në gjuhën shqipe.

Ai tregoi se ky film është prezantuar në shumë festivale, si në Festivalin e Berlinit, në Sidney, Finlandë, Moskë etj.

“Por unë mendoj se festivali më i rëndësishëm është këtu në Prishtinë”, tha ai. Më pas ai i prezantoi aktorët që kanë luajtur në këtë film, i cili do ta prezantojë Shqipërinë për të konkurruar për çmimin Oscar.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit, u shpreh se kanë arritur deri këtu me mund të madh dhe përkushtim, me entuziazëm dhe me një vullnet të madh dhe të palodhur.

“Për herë të tretë në Prishtinë vjen Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFilmFest, i cili do të sjellë shumë filma, do të sjellë botën e filmit këtu në Prishtinë për të gjithë ne, për një javë”, tha ajo.

Ajo shtoi se ndihet shumë e lumtur pasi që ky festival po i gëzon shumë aktorët dhe kineastë tanë.

Më pas ajo e zbuloi edhe një të fshehtë të njërit prej mysafirëve të festivalit.

“Na ka nderuar një mysafir shumë special, i cili është sonte në Prishtinë. Është një mik i yni, i cili nuk vjen këtu vetëm për filmin por e ka zbuluar edhe një lidhje tjetër me ne. Ka një lidhje gjaku me ne. Është aktori Gedeon Burkhard, i cili është stërnipi i aktorit tonë të madh Aleksandër Mojsiu dhe ai vjen për herë të parë në Prishtinë dhe është shumë i lumtur për këtë. Është këtu në cilësinë e presidentit të jurisë”, tregoi Berisha.

Në këtë edicion të PriFilmFest do të shfaqen 39 filma në shtatë kategori, garuese dhe jogaruese, të metrazhit të gjatë dhe të mesëm.

Anëtar tjetër i jurisë, përpos aktorit gjerman Gedeon Burkhard, është edhe kritiku i filmit nga Britania e Madhe, Phillip Bergson. Një tjetër emër i njohur, i cili është anëtar i jurisë ndërkombëtare, është Itai Tamir, producent nga Izraeli.

Në këtë edicion do të vijnë edhe shumë regjisorë, aktorë dhe producentë të huaj, të cilët do të shfaqin filmat e tyre në këtë festival.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›