Hapet konkursi për skenarë
Shoqata e artistëve të rinj “First Step Association”, krijuar në nëntor të vitit të shkuar, fton të rinjtë artistë në konkurrimin e parë për skenarë. Në partneritet me “Nisimasa”, të rinjtë do të konkurrojnë në kuadër të projektit “European Short Pitch” që synon mbështetjen dhe zhvillimin e filmit europian me metrazh të shkurtër krijuar nga të rinjtë për ta realizuar në strukturën e një koproduksioni europian. “European Short Pitch” organizohet që nga viti 2007 në Moulin d’Andé-Céci të Francës.
Me këtë rast 25 artistë europianë prezantojnë skenarët e tyre para specialistëve me përvojë, si dhe pjesëmarrësve tjerë, duke e zhvilluar idenë dhe për ta prezantuar para një numri të madh producentësh europianë. Në dallim nga vitet e shkuara, sivjet skenarët nuk janë të kufizuar në bazë të temës. Pjesëmarrësit mund të shkruajnë në gjuhët zyrtare që njihen nga “Nisimasa”, ku gjuha shqipe është e përfshirë. Skenarët nga skenaristët dhe regjisorët shqiptarë, duhen të dorëzohen pranë “First Step Association”, për t’u përzgjedhur më pas nga një juri profesioniste 3 skenarët më të mirë përfaqësues nga Shqipëria. Pas seleksionimit në shkallë kombëtare do të ketë dhe një seleksionim tjetër në shkallë ndërkombëtare, ku do të përzgjidhen 25 skenarë nga 24 shoqata anëtare të “Nisimasa”-s, që do të kenë mundësi të shkojnë në “European Short Pitch 2011”. Filmat e prodhuar si rezultat i këtij bashkëpunimi kanë arritur të shfaqen në festivale të ndryshme europiane, ndër të tjera edhe në kuadër të "Carte blanche" të Festivalit të Kanës. Ky aplikim është i hapur për çdo person rezident në Shqipëri nga mosha 18 deri 28 vjeç. Afati i fundit është data 31 korrik 2010.
#