E Diel, 1 Nëntor 2026

Marjana Leka: Në karrierën time, nga Violeta tek Anna gjithmonë e sakrifikuar për dashurinë

Sopranoja e njohur rrëfen mbi premierën Anna Bolena dhe vështirësitë e karrierës artistike

Është pa dyshim një nga zërat më të talentuar të skenës operistike shqiptare që për vite me radhë ka dhuruar tek spektatori emocione dhe ka marrë prej tyre shumë duartrokitje. Sopranoja Marjana Leka po përgatitet të veshë petkat e mbretëreshës së Anglisë, Ana Bolena.

Vepra me muzikën e Donizettit, që do të vijë premierë në datë 5 qershor konsiderohet një nga më të vështirat e belkantos, gjë që e ka joshur më tepër sopranon shqiptare të punojë me rolin, jo vetëm nga ana vokale, por edhe aktoriale. Në këtë intervistë dhënë për gazetën sopranoja rrëfen vështirësitë e rolit, por dhe jetën e saj artistike në opera. Marjana Leka është sopranoja e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ka vite që ka ndërtuar një karrierë artistike, e cila tashmë duket se është në kulmin e suksesit të saj. Ka 25 vjet që interpreton në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe falë punës, përkushtimit, seriozitetit dhe zërit të mrekullueshëm plot ngjyrë që natyra ia ka falur me bujari, ajo është primadona e këtij teatri. Me dhjetëra  role të para kanë frymuar bashkë me të, kanë marrë jetë dhe zë nga melodia e zërit dhe e shpirtit të saj. Në repertorin e saj bëjnë pjesë role të rëndësishme të operistikës botërore. Ka interpretuar Violetën tek "Traviata" e Verdit, Lejlën tek "Peshkatarët e perlave" të Bizesë, Xhildën tek "Rigoleto" e Xhuzepe Verdit, Zerlinën tek "Don Gioyanni"  Moxartit, Sofian, te Bruschino" i Rosinit, Mikaelën tek "Carmeni" i Bizesë, Fiordiligin tek "Cosi fan Tutte" i Moxartit, Mimin tek "La Bohem" e Puccinit, Madam Baterfly e Puccinit, Normën e Belinit, Adinen e Donixetit, Suzanen tek "Martesa e Figar" së Moxartit dhe Clarisën tek "III mondo dell luna" e Haydenit, etj. Në operistikën botërore kushdo do t'ia kishte zili këtë repertor, por edhe interpretimet e saj solistike në koncertet, ku ka interpretuar "Stabat Mater" të Pergolezit, të Rosinit , "Requieme" të Moxartit, "The Messsiah" të Handelit etj,  Disa nga çmimet kombëtare dhe ndërkombëtare, që ka fituar sopranoja Marjana Leka: çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar të Këngëtarëve Lirikë Tefta Toshko, 1984. Çmimi Katia Riççiareli, Itali 1992. Pas këtij çmimi specializohet në Itali pranë Katia Riççiarelit. Çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar të Operas Italiane zhvilluar në Gjermani 1996. Çmimin e parë "Marije Kraja në festivalin operistik në Tiranë 1999, çmimin "Kult" 2005 si këngëtarja më e mirë lirike e vitit.

-Po përgatiteni për premierën Anna Bolena, e cila do të vijë në datë 6 qershor në skenën operistike. Si ndiheni?
Jam pak e lodhur, por sigurisht dhe duke menduar mbi personazhin, se si do të vijë ai pranë publikut në skenë.

-Pasioni dhe talenti ju kanë udhëhequr gjithmonë?
Është e vërtetë, pasi është një profesion që kërkon pasionin të parin dhe më pas punën, është pasioni që mban dhe talentin, pa atë nuk mund të shkosh përpara.

-Këtë herë vini para publikut me shfaqjen premierë Anna Bolena. Si ndiheni nën petkat e saj?
Them se ky rol do të jetë një nga rolet më të bukura të miat dhe njëkohësisht dhe një nga rolet më të vështira, sepse ka një ngarkesë të madhe vokale, po ashtu dhe emocionale. Është një personazh shumë kompleks dhe është jeta dhe vdekja e mbretëreshës së Anglisë, flitet për vitet 1600. Ana Bolena është një viktimë e sistemit të asaj kohe, të oborrit mbretëror të asaj kohe, janë intrigat e mbretit Henriku i VIII, i cili nuk e pëlqen më dhe ai do të eliminojë me çdo kusht. Bën planet e tij për tu bashkuar me një grua tjetër dhe ashtu siç arrin në fund të operës, ku Anna ka një vdekje tragjike në gijotinë.

-Në galerinë tuaj të personazheve, cila është e veçanta e këtij roli?
Unë do të thosha që e veçantë është stili i të kënduarit në këtë personazh. Është diçka tjetër nga Verdi, Puçini, etj, dhe në  mënyrë të veçantë historia e vetë personazhit të Annës, kjo është dhe e veçanta, fati i saj tragjik.

-Keni vite që interpretoni në skenën operistike. Çdo rol e keni pranuar?
Gjatë karrierës sime, jo në çdo opera kam kënduar. Unë këndoj në opera që i përshtaten zërit tim dhe kjo është shumë e rëndësishme për një këngëtar, që duhet të jetë shumë i kujdesshëm në përzgjedhjen e repertorit. Unë nuk këndoj arie apo role, që nuk i përshtaten vokalit tim, për mua ky ka qenë një parim shumë i rëndësishëm. Nuk kam kënduar role që mua nuk më përshtaten, role që unë nuk mund të jem vetvetja për të dalë jashtë vetes sime.

-Një karrierë e gjatë 25 vjeçare në skenën operistike. Si kanë qenë karakteret e personazheve që ju keni interpretuar?
Rolet në përgjithësi kanë qenë role që unë isha e dashuruar, por me një përfundim jo të mirë, që gjithmonë ka qenë vdekja në fund. Radhë herë ka opera që përfundojnë jo me vdekjen e personazhit, dhe kjo radhë herë më ka qëlluar. Kjo mund të ketë qenë në një opera të Mozartit, Puçinit, apo dhe tek ndonjë autor tjetër, më pas të gjithë rolet e tjera kanë atë anën tragjike. Tek Traviata, Madam Byterffly, Turandot etj.

-Po personazhe negative, gjatë karrierës suaj a keni interpretuar?
Nuk më ka rastisur asnjëherë, edhe në rastin e Anna Bolenës, që është një personazh i tillë që është Xhovana, është për mezosoprano dhe jo për soprano. Deri tani nuk kam interpretuar personazhe negative. Në karrierën time, unë kam qenë gjithmonë e sakrifikuar për dashurinë në skenën operistike.

-Si ka qenë ky sezon operistik për ju, sa e impenjuar keni qenë?
Ky sezon ka qenë me koncerte, që kanë filluar që në muajin janar me një koncert gala, më pas ka pasur një koncert në Prishtinë, një natë në kuadër të Festivalit të Shopenit. Më pas kam qenë në një koncert simfonik, që u zhvillua në Portugali dhe së fundi Anna Bolena.

-Si jeni pritur në skenat botërore?
Shumë mirë dhe kjo dukej dhe nga duartrokitjet e publikut në sallë. Jam ndjerë shumë mirë.

-Keni 25 vite që jeni në TKOB, sa e vështirë ka qenë për ju që të arrini deri këtu?
Kam 25 vjet në TKOB, e kam nisur me korin e operas dhe përgatitjen e roleve për herë të parë në skenë, dhe që nga janari i vitit 1991 unë kam qenë si soliste në skenë. Një rrugë e gjatë me shumë punë, dhe sakrifica. Shumë punë për të mbajtur gjithmonë një nivel dhe nga dalja në dalje në skenë të jem gjithmonë dhe më mirë, sepse dhe konkurrenca bën të vetën. Gjithmonë daljen në skenë e konsideroj diçka shumë serioze dhe i jap shumë rëndësi. Kjo ka qenë gjithmonë motoja ime, që të punoj shumë dhe të më shikojnë gjithmonë mirë.

-Si e kujtoni rolin e parë?
Me shumë emocion dhe shumë përgjegjësi dhe ka qenë Violeta nga Traviata dhe ishte një rol i madh, i cili u prit shumë mirë dhe u pëlqye shumë dhe ai më hapi rrugën për shumë role të tjera, që unë kam bërë gjatë viteve.

-Cila ka qenë për ju roli më i vështirë gjatë këtyre viteve?
Nuk mund të them për role të vështira, pasi unë kam kënduar kryerole të operave dhe nuk mund të ndaj. Por kam pasur vështirësi tek Norma, Ço Ço San tek Madam Baterffly, Amelia tek Ballo me maska, Traviata e Verdit, që janë role shumë të mëdha që më kanë lënë dhe shumë mbresa. 

-Një karrierë e vlerësuar me shumë çmime. Kujt ia dedikoni?
Ia dedikoj familjes sime, e cila më ka mbështetur shumë dhe pa ata nuk do të bëja asgjë.

-Sa e gjen kohën për familjen, duke qenë se ju keni një aktivitet të ngjeshur artistik?
Mundohem që ti jap gjithë kohën e mundshme që kam, dhe jam munduar gjithmonë që ti balancoj të dyja, karrierën dhe familjen. Në momente të provës të gjata siç është dhe vënia e një premiere kuptohet që unë mungoj shumë në shtëpi, por megjithatë unë kam ndihmë nga bashkëshorti dhe djali.

-Çfarë ju thonë kur ju shikojnë në skenë, duke interpretuar?
Ata vijnë dhe shikojnë shumë shfaqje dhe bashkëshortin tim unë e kam si një kritik, të cilit i besoj shumë. Ai nuk është artist dhe duke mos qenë i tillë ai i thotë gjërat siç i shikon dhe është shumë i drejtë, prandaj e besoj shumë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›