Hapet muzeu “Ibrahim Kodra”

Në Lugano të Zvicrës, konkretisht në vendin më piktoresk të tij, në katër vjetorin e vdekjes, është hapur muzeu “Ibrahim Kodra”. Ky muze është hapur me iniciativën e Behgjet Pacollit, i cili edhe është autorizuar nga vetë piktori Kodra sa ishte gjallë që të përkujdesej për gjithë trashëgiminë e tij kulturore.
Muzeu në Lugano ka 16 vepra kulturore të Ibrahim Kodrës. Rëndësia e këtij muzeu, qëndron edhe në disa elemente shumë karakteristike: aty gjenden veshmbathja dhe gjërat që ai i mbante me vete. Aty gjenden edhe shallët e tij, të cilët gjatë tërë jetës së tij u bënë pjesë e figurës së këtij artisti. Gjenden edhe këpucët e kaltra dhe çorapet me lara.
Këtij muzeu Pacolli ia dedikoi një ndërtesë të vjetër shekullore, që do të jetë edhe një muze shtesë shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare, për Zvicrën dhe artin botëror në përgjithësi. Rëndësinë e hapjes së këtij muzeu, e tregoi pjesëmarrja e autoriteteve shtetërore të Zvicrës dhe një numri të madh të kritikëve të shquar të artit.