E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis edicioni i shtatë i “Top Fest”

Festivali i vërtetë i muzikës moderne shqiptare do të çelë siparin sot, më 8 shkurt. Në edicionin e shtatë të “Top Fest”, i cili do të transmetohet nga e hëna deri të enjten në orën 15:40 në televizionin kombëtar, “Top Channel” dhe në një prej kanaleve HD në “Digitalb”, do të marrin pjesë shumë emra të njohur të muzikës moderne shqiptare.

Veç tyre, sikundër edhe edicionet e shkuara, në këtë festival një vend i veçantë u kushtohet edhe këngëtarëve të rinj, për të cilët “Top Fest” është padyshim arena më e mirë e të shfaqurit dhe e rrugës drejt suksesit. Formula e kthyer në një traditë të përvitshme do t‘i ofrojë publikut shqiptar një larmishmëri rrymash dhe tendencash muzikore. Edhe këtë vit, ashtu si edhe vitet e shkuara, prurjet kanë qenë të shumta.

Organizatorët kanë përzgjedhur rreth 130 këngëtarë dhe grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora, të cilët do të interpretojnë gjatë fazës së parë të konkurrimit. Ndërkaq, pas përfundimit të fazës së parë, rreth 50 prej konkurrenteve që do të përzgjidhen nga bordi artistik i “Top Fest”, do të marrin pjesë në fazën e dytë, ku këngën e tyre konkurruese do ta këndojnë live. E në fakt kjo është edhe e reja e edicionit të shtatë të këtij festivali të rëndësishëm të muzikës shqiptare.

Për herë të parë, “Top Fest” vjen me një risi për publikun dhe dashamirësit e këtij festivali. Ata do të kenë mundësi të ndjekin për herë të parë performancën live të artistëve në skenë, duke dhuruar në këtë mënyrë emocione të paimagjinueshme. Menjëherë pas fazës së dytë në muajin maj do të vijojë edhe me finalen e shumëpritur të “Top Fest”, kur do të ndahen edhe çmimet për këngët më të mira, artistët më të mirë, në kategoritë e ndryshme muzikore.

Ashtu sikundër edhe gjashtë vitet e shkuara, kjo finale pritet t’i ngjajë një nate të paharruar muzikore, me një ndryshim: këngëtarët do të këndojnë live duke dhuruar emocione të gjalla për të gjithë. Çmimi fitues i këtij edicioni do të jetë në shumën 2 milionë lekë. Fituesja e edicionit të gjashtë të “Top Fest” vitin që shkoi, u shpall këngëtarja nga Kosova, Linda, me këngën me titull “Ëndërroj”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›