Hapet për vizitorët mozaiku me poligone
Për herë të parë në qytetin madhështor dhe hijerëndë, siç e quajnë specialistët e huaj Apoloninë e lashtë, është vënë në shfrytëzim për vizitorët, që parapëlqejnë turizmin kulturor më shumë sesa atë bregdetar, mozaiku me poligone dhe motive gjeometrike. Mozaiku në fjalë është zbuluar nga ekspedita ruse –shqiptare në vitin 1958, ekspeditë e cila është drejtuar nga arkeologu i njohur, Hasan Ceka, dhe profesori rus, Bllavacki. Moziaku me poligone dhe motive gjeometrike ndodhet në Vilën Romake, e cila shtrihet në pjesën jugperëndimore të qytetit antik. Pas shumë vitesh i lënë në harresë, vitin e shkuar misioni arkeologjik shqiptaro-francez, i cili kreu sërish gërmime në sektorin e kësaj vile, si dhe pas pastrimeve të terrenit dhe punimeve restauruese të kryera nga Instituti i Monumenteve të Kulturës u arrit të përmirësohej gjendja e mozaikut të rrallë që zbukuron edhe më shumë këtë vilë romake. Vetë mozaiku ka disa pjesë përbërëse të tij. Arkeologët shprehen se sipërfaqja e tij është rreth 40 metër katrorë. Sipas drejtorit të parkut kombëtar arkeologjik “Apolonia”, Marin Haxhimihali, mendohet se një pjesë e kodrës së territorit të parkut është e mbushur me vila romake, të ndërtuara në shekullin e dytë dhe të tretë pas Krishtit. Vila e cila përmban këtë mozaik quhet ndryshe vila me impozium. Emërtimi vjen i tillë për shkak të një sistemi ujëmbledhës të shirave dhe një dritare në planimetrinë tetëkëndore që gjendet në qendër të saj. Mendohet që mozaikë të tillë të ketë e gjithë faqja e kodrës që cilësohet si lagje e të pasurve.
#