E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet rruga për çminuesit, Koçi kundërshton

Kuvendi ka miratuar dje me 71 vota aktin normativ të qeverisë "Për dërgimin në Bosnjë-Hercegovinë të një grupi të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë". Ky akt normativ është miratuar pa shumë debate në Kuvend. I vetmi deputet që e abstenoi ka qenë opozitari Petro Koçi, i cili në diskutimin e tij ka theksuar se "shteti ka ekspertë në fushën e asgjësimit të municioneve, të cilët nëse do të ishin angazhuar, nuk do të kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit". Më tej ai ka deklaruar se çështja e Gërdecit nuk është një çështje financiare, siç po përpiqet ta trajtojë politika sot, por në radhë të parë është një çështje drejtësie, pasi më parë duhet të vendoset drejtësia. Kemi fuqi të dërgojmë ekspertë deri në Bosnjë dhe nuk mundemi t‘i dërgojmë deri në Gërdec, ndaj dhe projekti i paraqitur komprometon qeverinë". Pretendimet e Koçit janë hedhur poshtë nga ministri i Mbrojtjes Oketa, i cili u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të mos ngatërrojnë aktin normativ me tragjedinë e Gërdecit, ku për këtë të fundit po punohet intensivisht për pastrimin e zonës dhe njëkohësisht prokuroria po punon për zbardhjen e ngjarjes. Sipas relacionit shoqërues të aktit normativ, ushtarakët që do të marrin pjesë në operacionin ALTHEA, veç pagës mujore për ditët e qëndrimit në këtë mision, do të marrin për vështirësi shërbimi edhe një shpërblim ditor, në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›