Hidhet nga kati i pestë 34-vjeçarja
Një grua 34 vjeçe është hedhur nga kati i pestë, duke gjetur vdekjen. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në lagjen "24 maji" të qytetit të Vlorës. Në momentin e vetëvrasjes Elida Çajupi ka qenë vetëm në banesë, pasi bashkëshorti ishte në punë, dy vajzat në shkollë dhe vjehrra kishte shkuar në një vizitë. Ajo është hedhur nga ballkoni në kohën kur vjehrra po kthehej në shtëpi. Një fqinj e ka marrë menjëherë në automjetin e tij dhe e ka transportuar për në spital, por ka qenë e kotë pasi 34-vjeçarja ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Trupi i pajetë është çuar në morgun e spitalit të Vlorës, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, që ka vërtetuar se shkak i vdekjes kanë qenë dëmtimet e marra si pasojë e rënies nga lartësia. Policia ka marrë në pyetje familjarë të viktimës, të cilët kanë konfirmuar se gruaja kurohej nga depresioni.