E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet noteri, falsifikoi testamentin

Një noter ka rënë në pranga, pasi ka falsifikuar dokumentet që bëjnë kunatën e tij pronare të një shtëpie. Noteri 57-vjeçar, Selim Beqiri, është ndaluar nga seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Beqiri ka bërë falsifikimin e një testamenti për lënie trashëgimie, duke shkruar në këtë dokument të dhëna joreale. Sipas burimeve policore, nëpërmjet veprimeve antiligjore noteri ka dashur që të tjetërsojë banesën shtetasit Pelivan Hysenaj, i cili e posedon me dokumente të rregullta banesën e tij dhe t‘ia kalojë me dokumente false shtetases H.H., e cila është kunata e noterit falsifikator. Noteri është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Elbasanit në pritje të hetimit për veprën penale "falsifikim i dokumenteve".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›