Hapet…

Dikur vetëm si shaka e thënë nga fotografi dhe gazetari Steve Ryan dhe Conor Creighton, tani është bërë realitet. Ata morën një shtëpi në Prishtinë, afër ambasadës angleze, dhe e emërtuan Ambasada e Irlandës në Kosovë.
Të hënën ishte hapja jozyrtare, krejt e veçantë e Ambasadës Irlandeze në Kosovë, së pari me himnin e Kosovës të luajtur me violinë nga Gëzim Latifi, e pastaj himnit irlandez, i kënduar nga Michael Bourke. Prerja e shiritit u bë nga Steve dhe Conor.
«Kultura tradicionale e Irlandës njihet si vend i mirëseardhjeve dhe ne kemi shumë shoqëri në Prishtinë dhe pasi që zbuluam se në Kosovë Irlanda nuk ka Ambasadë, ne menduam që të fillojmë diçka, t’i urojmë Kosovës mirëseardhje në Evropë dhe t’i shkëmbejmë kulturat tona», tha Steve.
Kjo zyrë është krijuar si lëvizje kulturore pavarësisht idesë që të jepet kur dëgjon për emërtimin e saj si Ambasada e Irlandës në Kosovë, aty nuk aplikohet për viza, por mund të pihet një çaj irlandez, mund të njihemi më shumë për kulturën irlandeze. Programi do të jetë i pasuruar me disa evente kulturore, përveç muzikës irlandeze do të shfaqen filma irlandez , çdo të mërkurë do të mbahen kurse të gjuhës irlandeze, të enjteve do të ketë përgatitje të ushqimit tradicional irlandez, etj.
Programi i Steve dhe Conor do të zgjatë një muaj, pastaj do të largohen.
«Ne do të shkojmë prej këtu ditën e fundit të shkurtit dhe vërtet do të ishte mirë që shoqëria jonë këtu të vinte në Irlandë, më saktësisht në Dublin, dhe të hapin atje ndonjë ambasadë jo zyrtare si kjo këtu, ku do të shërbenin me ushqim tradicional kosovar, të organizonin party dhe aktivitete tjera kulturore», tha Steve.
Kjo zyrë ka mjaft hapësirë ku të zhvillohen aktivitetet në fjalë, ndërsa dëshira e Steve dhe Conor është që të vizitohet nga shumë njerëz dhe të njoftohen me kulturën irlandeze, por edhe të argëtohen.