E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hebrenjtë në Shqipëri, përmes një ekspozitë në Muzeun Kombëtar

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u prezantua dje një ekspozitë kushtuar hebrenjve gjatë qëndrimit të tyre ne vendin tonë. Ekspozita përmbante fotografi dhe dokumente mbi qëndrimin e hebrenjve në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë ceremonisë u zbulua dhe një pllakë nderi, e cila tashmë do të jetë pjesë e pavionit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë pllakë të mundësuar nga Xhek Goldfar, një gazetar izraelit, janë shënuar emrat e

shqiptarëve të cilët ndihmuan hebrenjtë e gjendur në Shqipëri gjatë asaj periudhe. Ambasadori i ri i Izraelit në vendin tonë, David Kohen, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në një aktivitet të tillë, ku flitet për miqësinë mes dy vendeve. Kjo ekspozitë do të jetë pjesë e pavionit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Gjatë zbulimit të pllakës, kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael, Petrit Zorba, u shpreh se në këtë pllakë shënohen vetëm disa prej emrave, të cilët ndihmuan hebrenjtë, por të gjithë ne jemi të bindur se shqiptarët që kanë kontribuar në këtë kohë me ndihmën e tyre kanë qenë më shumë. Shqipëria dhe populli shqiptar konsiderohen nga opinioni botëror si një rast unik në qëndrimin që mbajtën ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit fashist, jo vetëm duke mirëpritur, ruajtur hebrenjtë e shpërngulur dhe të ardhur këtu gjatë luftës, por edhe duke mos kallëzuar pranë autoriteteve pushtuese naziste asnjë. Shqipëria u bë vendi i vetëm që kishte më shumë hebrenj pas luftës së përpara saj, ndryshe nga fati i miliona hebrenjve të tjerë nëpër Evropë, që u ekzekutuan apo përfunduan në kampet famëkeqe naziste të frymëzuar prej filozofisë raciste dhe te pastrimit etnik fashist. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur 27 Janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit dhe përcaktoi detyrimin e vendeve anëtare për të nderuar kujtimin e viktimave të Holokaustit, si dhe ndërmarrjen e programeve e veprimtarive për të parandaluar akte të tjera te gjenocidit. Dhe në vitin 2004, edhe Kuvendi i Shqipërisë shpalli 27 Janarin si Ditën e Kujtesës. Para luftës, Shqipëria kishte vetëm 200 hebrenj, që e kishin deklaruar etnicitetin e tyre. Në fund të luftës, Shqipëria kishte 2500-3000 hebrenj të ardhur nga Dalmacia, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia. Hebrenjtë erdhën në Shqipëri nga vendet e Ballkanit në forme grupimi kolektiv dhe në formë individuale. Sipas historianëve, ndryshe nga sa mendohet, lidhjet historike-kulturore midis shqiptareve dhe hebrenjve ekzistojnë qysh prej antikitetit. Gjurmët e këtyre lidhjeve janë ruajtur në arkeologji, në etnologji, në besim e rite, në histori e kronika dhe në arkiva.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›