E Diel, 1 Nëntor 2026

Sonte jam vetëm : Niada Saliasi, në një dramë për jetën dhe vdekjen

Regjisori Enver Petrovci sjell në skenën teatrore veprën e dramaturgut francez Andre-Pol Antoan
 
Sonte jam vetëm titullohet drama, e cila do të ngjitet pas disa ditësh në skenën e Teatrit të Metropolit. Vepra që mban firmën e dramaturgut të njohur francez Andre-Pol Antoan ngjitet në skenë me regji të Enver Petrovcit. Në skenën teatrore për publikun do të vijnë dy emra të njohur aktorësh, Niada Saliasi dhe Ilir Tafa. Vepra, e cila sjell në Tiranë Evnver Petrovcin do të ngjitet në skenë në datat 20-21 shkurt. Në këtë dramë bëhet fjalë për një aktore shumë të bukur,

26 vjeçare, e martuar me një doktor (psikiatër), por ajo nuk është aspak e kënaqur me të, të cilin e ka denoncuar para tri ditësh në polici dhe tashmë ai gjendet në burg. Një natë ajo është e vetme në shtëpinë e saj luksoze, është shumë e vetmuar, e mërzitur, e frikësuar, bisedon me një shoqe të saj në telefon, e cila mundohet disi ta qetësojë dhe ti gjejë dikë që ti bëj shoqëri. Kjo do të jetë dhe drama që do të përcjelli aktorja Niada Saliasi në skenën teatrore, e cila tashmë njihet për suksesin e saj në filmin Gjallë. E ndërkohë që kjo vepër teatrore vjen në Tiranë pas suksesit që ajo ka pasur në Teatrin e Prishtinës. Për publikun e kryeqytetit kjo vepër vjen në vijim të aktivitetit të këtij institucioni, i cili vitin 2010 e ka nisur me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive. Dramaturgu, skenaristi dhe regjisori i njohur francez Andre-Pol Antoan (1892-1982), duke lëruar zhanre të ndryshme të prezantimit të premisave të tij artistike, i nisur nga teatri dramatik dhe ai muzikor për të arritur tek filmi, e ndoqi shtegun e pafund drejt zbërthimit të enigmës së pa zbërthyer të jetës njerëzore, bërthamën e pyetjes jetike: Si të kalohet nata? Për ta zbërthyer këtë enigmë janë shkruar romane, drama, janë bërë opera dhe filma. Secili nga autoret që është marrë me këtë temë është munduar të na ofrojë shtegun e tyre për të dalë nga labirinti i natës, sepse secili njeri duhet ta gjejë shtegun e tij përndryshe do të sillet tërë jetën në rrethin vicioz  që nuk ofron shtegdalje. Në rastin e shfaqjes Sonte jam vetëm ne ballafaqohemi me njerëz të cilët, sado që duket se nuk dinë çfarë bëjnë ata, janë të vetëdijshëm se ajo që bëjnë nuk është në rregull por, ata duan të bëjnë diçka, përndryshe po u gjunjëzuan para atyre sfidave atëherë do të ishin të humbur. Ndërkohë në kuadër të aktivitetit të tij artistik, disa ditë më parë në këtë teatër erdhi një tjetër dramë e shkruar nga Albert Kamy. E konsideruar si një nga veprat më të bukura të shkruara nga Kamy, drama Keqkuptimi u ngjit tri net për publikun në skenën teatrore me regji nga Orjana Cama. Në dramën Keqkuptimi interpretuan: Nëna-Adriana Tolka, Marta-Cubi Metka, Zhani, Arbër Jakllari, Marie-Brikena Sinani dhe shërbëtori Idriz Gjokaj. Nëna, Marta dhe Zhani janë tre personazhet shtyllë të veprës, e cila kësaj here erdhi e plotë për publikun me pesë personazhe. E ndërkohë që në pak vite ky institucion kulturor ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse. Teatri i Metropolit që muajin e fundit të vitit 2009 ka nisur provat për komedinë "Playboy i trojeve tona" premiera e së cilës do të jetë në fund të muajit shkurt 2010, e cila do të shfaqet në sallën "Bodrum" që përurohet me autorin irlandez John Millington Synge. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet  të jetë në  muajin prill 2010 me komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re "Glob" me kapacitet prej 300 vendesh. Salla "Bodrum" dhe salla "Glob" e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me  regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez  etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të  qenë pjesë e këtij teatri.Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Marte, 09 Shkurt 2010 09:33

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›