E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lule Elezi në Vjenë

Pianistja kosovare Lule Elezi u prezantua para publikut austriak me një koncert recital me veprat e Shopenit në Vjenë të Austrisë. Ajo është ftuar në Vjenë nga Shoqata Ndërkombëtare “Frederik Shopen” dhe koncerti tjetër i saj me 10 shkurt pritet të zgjojë interesim edhe më të madh të artdashësit austriakë. Ftesa i është bërë asaj nga shoqata që mban emrin e kompozitorit të njohur polak, i cili është quajtur ndryshe edhe ‘poet i pianos’, pas prezantimit të Lule Elezit në gushtin e vitit të kaluar me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate.

Brenda këtij viti, për Shopenin, i cili ka lindur me 1 mars të vitit 1810, në shenjë të 200 vjetorit të lindjes, në shumë vende të botës do të organizohen koncerte me veprat e tij. Në mesin e këtyre koncerteve janë edhe këto të pianistes kosovare. Po ashtu gjatë këtij viti do të ketë edhe koncerte të tjera që do të shënojnë edhe 200 vjetorin e kompozitorit tjetër të njohur, Robert Shuman.

Pianistja Lule Elezi ishte shprehur më herët se ka qenë e ftuar nga vet presidenti i shoqatës “Frederik Shopen” e Vjenës, që të mbajë dy koncerte recitale, njërin më 8 shkurt dhe tjetrin më 10 shkurt, në dy salla të ndryshme koncertale të Vjenës.

Kjo ftesë për mbajtjen e këtyre dy koncerteve asaj i ka ardhur si shpërblim për pjesëmarrjen e saj një vit më parë në një koncert artistik në Vjenë. Në atë koncert ajo e ka përfaqësuar Kosovën me interpretim në piano. Organizatorëve, përkatësisht presidentit të shoqatës “Frederik Shopen”, i ka rënë në sy muzikaliteti i interpretimit të saj dhe duket se tingujt e pianos në interpretim të pianistes kosovare e kanë bindur që këtë vit të organizojë dy koncerte recitale vetëm me Elezin.

Pas prezantimit në Vjenë, ajo do të performojë edhe në dy shtete të tjera të Evropës, po ashtu me veprat e Shopenit. Brenda vitit 2010, Lule Elezi do të prezantohet para publikut të Parisit, sikurse që do të prezantohet edhe para publikut të Frankfurtit. Po ashtu gjatë muajit prill do të realizohet edhe një koncert recital i Lule Elezit në Kosovë.

Ajo deri më tani ka marrë pjesë në më shumë se 50 koncerte anembanë trojeve shqiptare dhe në Evropë e më gjerë. Është prezantuar si soliste, shoqëruese në piano dhe pianiste me ansamble kamertale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, Gjermani, Austri, Zvicër, Turqi, SHBA etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›