Libra nga biblioteka e Kostallarit, shiten rrugëve nga bukinistët

Tiranë, 8 shkurt, NOA/ Nga Milena Selimi - Prej
disa ditësh, janë vënë re të shiten në qarkullim në disa nga pikat e bukinistëve
shqiptarë në Tiranë, vepra të çmuara nga biblioteka e profesor Androkli
Kostallarit. Krejt rastësisht mund të blesh një libër të rëndësishëm, i cili të
shitet për vetëm 200 lekë, ndërsa mbishkrimet dhe autografet brenda tij të
tregojnë për një histori të vyer të dhuruesit të librit. Kështu, një vëllim me poezi nga Giuseppe
Schiro (Di Maggio), poeti i njohur
arbëresh, i dëgjuar kryesisht me mbiemrin Di Maggio mund ta blesh nga
bukinistët e rrugës për një çmim deri në 200 lekë të reja.
Çudia dhe rastësia qëndron në shkrimin e bukur
dhe plot elegancë të autorit, i cili ia dhuron këtë vëllim me poezi profesorit
të nderuar të shqipes, Androkli Kostallarit. Të tjera vepra të profesorit të
nderuar të gjuhësisë, ose të bibliotekës së tij mund ti gjesh këto ditë në
qarkullim në rrugët e Tiranës.
Bukinistët nuk të japin shpjegime se nga i
kanë siguruar, ndërsa mohojnë faktin se është bërë një shitje e kësaj biblioteke
të çmuar nga familjarët e tij.
Pamundësia, indiferencë, mosangazhim nga
ana e institucioneve shtetërore si Akademia e Shkencave apo Institutit të
Gjuhësisë? Indiferenca për këtë pasuri bibliotekare nga ana e institucioneve
mund ti ketë shtyrë trashëgimtarët e kësaj pasurie të vyer gjuhësore, letrare
dhe autobiografike ta këmbejnë në një vlerë monetare.
Androkli Kostallari në vitin 1946 ishte
kryeredaktor i gazetës Bashkimi. Që kur ishte student nisi punën për hartimin
e fjalorit Rusisht-Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Pas kthimit në atdhe
punoi në Institutin e Shkencave.
Kostallari ishte një nga organizatorët
kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i
Fjalorit të Gjuhës Shqipe.
I është dhënë titulli Honoris Causa nga
Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli Mësues i Popullit, Profesor etj.
Ka qenë anëtar i redaksisë së Atllasit të Gjuhëve të Evropës.
Është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës.
m.s/n.e/NOA