Hapja e dosjeve në Maqedoni, vetëm për zyrtarët në detyrë

Komisioni për Lustracionin në Maqedoni do të merret vetëm me verifikimin e deklaratave dhe hapjen e dosjeve për funksionarët që janë aktualisht në detyrë.
Ky vendim është marrë pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur ndalimin e procesit të lustracionit për gazetarët, klerikët, shoqatat joqeveritare, avokatët, ish-funksionarët.
Sipas Komisionit për Lustracionin në Shkup, me ndryshimet e ligjit nga ana e maxhorancës aktuale ishte paraparë edhe lustrimi i kategorive të lartëpërmendura, mirëpo Gjykata hodhi poshtë këto duke e rikthyer ligjin në versionin e parë të miratuar.
Mbi 2000 dosje të gazetarëve, klerikëve dhe personave të tjera që ishin përfshirë në procesin e lustracionit tashmë janë në sirtarët e Komisionit, mirëpo shqyrtimi dhe verifikimi i tyre është stopuar me ligj.
Kryetari aktual i Komisionit të Lustracionit, Tome Axhiev ka theksuar se Komisioni po merret me dosjet e gjykatësve, prokurorëve, anëtarëve të Akademisë së shkencave dhe arteve si dhe më pas dosjet e zyrtarëve shtetëror. Në këtë kategori hyjnë zyrtarët ushtarak, sekretarët shtetëror, drejtorët dhe të punësuarit nëpër agjenci, drejtori, anëtarë të këshillave drejtuese, komisioneve, ministrive dhe nëpër fakultete.