E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve, vetëm 24 orë kohë afat për ligjin

Fatos Beja i kërkon Bumçit dhe Isarajt të sjellin një variant konsensual

Në shqyrtim 5 variantet, Biberaj, pesimist për konsensusin me opozitën

Miratimi i ligjit brenda këtij muaji për hapjen e dosjeve të zyrtarëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist, do të varet nga gatishmëria e opozitës. Në pamundësi kohe, duke pasur parasysh detyrimin e Kuvendit, që projektligji për pastrimin e figurave të miratohet brenda korrikut, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, u la ditën e djeshme vetëm 24 orë afat deputetëve Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj, për të gjetur gjuhën e përbashkët. Beja u kërkoi relatorëve Bumçi dhe Isaraj, që të sjellin ditën e sotme një variant të përbashkët i cili duhet të përmbledhë të pesta propozimet e bëra për këtë çështje. “Dy relatorët Aldo Bumçi, përfaqësues i PD-së, dhe Arben Isaraj, nga PS-ja, do të kenë mundësinë për të diskutuar edhe një herë mbi të tre draftet e sjella nga PD-ja, PS-ja dhe PDK-ja. Do të kenë 24 orë kohë për të shqyrtuar draftet dhe nesër të sjellin në komision propozimet e tyre, në mënyrë që ky projektligj të mbyllet përpara këtij sesioni parlamentar”, - tha Beja në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Në të kundërtën, Beja ka paralajmëruar se në rast se ky mirëkuptim nuk arrihet me opozitën, atëherë të gjitha nismat do të diskutohen në mënyrë individuale. Dështimi i një varianti të përbashkët, mes PD-së dhe PS-së, duke bërë që diskutimi të prekë të gjitha variantet, do të bëjë që miratimi i këtij ligji të mos arrihet këtë muaj, pasi nuk ka kohë fizike. Diskutimet do të shtyhen në muajin shtator në rast se opozita nuk bie dakord për një variant të vetëm.

Varianti

Komisioni vendosi ditën e djeshme që të ketë një variant të përbashkët dhe për këtë çështje do të ketë një konsultim mes deputetit Bumçi dhe Isaraj. I kontaktuar nga “standard”, deputeti i PD-së Bumçi tha se do të tentohet të arrihet një mirëkuptim me opozitën, duke pasur parasysh që brenda variantit të përbashkët të jenë të integruara të pesta propozimet e ndryshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, një nga hartuesit e projektligjit për pastrimin e figurave, deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj, shprehet për “standard” se është pesimist për gjetjen e një konsensusi me opozitën për këtë çështje. Sipas tij, arritja e një mirëkuptimi do të ishte ideale por nisur nga kërkesat e opozitës, Biberaj nuk është fort i sigurt. “Nuk duhen dënuar vetëm bashkëpunëtorët e sigurimit, por edhe persekutorët”, - shprehet Biberaj. Nga ana tjetër, Biberaj shprehet që në variantin e integruar për këtë çështje, pasi janë pesë propozime, duhet të gjenden hapësira konkrete edhe për projektligjin e propozuar nga ana e tij. Deputeti i PD-së, njëkohësisht nënpresident i Këshillit të Evropës, nuk harron të thotë se nisma e tij është marrë nga përvoja më e mirë e vendeve të Lindjes ish-komuniste. Gjithsesi, dita e sotme do të jetë vendimtare në lidhje me shqyrtimin dhe arritjen e një vendimi konkret. Në rast se dështon konsensusi me opozitën, koha në dispozicion, bën të pamundur që një nga projektligjet të votohet në Kuvend brenda muajit korrik. Në Kuvend janë depozituar pesë propozime dhe duke pasur parasysh kohën e diskutimit të tyre, votimit dhe miratimit nga ana e Komisionit të Ligjeve, nuk të lë shpresë se do të mjaftojnë tri javët e mbetura të këtij muaji, pavarësisht insistimit të mazhoranës apo Kryetares së Kuvendit, Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›