E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, PS “harron” firmat

 Aristir LumeziSocialistët kanë lënë në harresë mbledhjen e firmave për projektligjin që do të sanksionojë hapjen e kutive. Aksioni politik për mbledhjen e të paktën 20 mijë firmave, nisi që në 10 tetor, në protestën e madhe që socialistët zhvilluan në Tiranë për hapjen e kutive. Burime nga selia e PS pohojnë se janë mbledhur rreth 30 mijë firma, të cilat priten të depozitohen në Kuvend bashkë me nismën ligjore. Formularët u plotësuan po atë pasdite nga shumë qytetarë të Tiranës pjesëmarrës në këtë tubim dhe kjo iniciativë vazhdoi dhe në tubimet, që PS zhvilloi në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Madje, selia rozë u angazhua që mbledhja e firmave të bëhej dhe nga strukturat e saj të bazës. Sipas përllogaritjeve pritej që numri i firmëtarëve të arrinte në disa qindra-mijëra, gjë që do ta bënte projektligjin e socialistëve bindës për ta kaluar në Kuvend edhe nga maxhoranca. Përvoja më e mirë e socialistëve në mbledhjen e firmave ishte kërkesa për lirimin nga burgu të Fatos Nanos, ku firmosën rreth 500 mijë shqiptarë. Por protesta e 20 nëntorit, ku socialistët arritën të mblidhnin një numër shumë të madh përkrahësish në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në tubimin 48 orësh, bëri që t’i jepej më shumë rëndësi protestave sesa nismës ligjore, e cila nëse do të miratohej në Kuvend, do të detyronte maxhorancën të hapte kutitë e 28 qershorit. Kësaj neglizhence, e cila mund të kishte çuar në mbledhjen e qindra-mijëra firmave, iu bashkua dhe mitingu i 8 dhjetorit të Partisë Demokratike në përvjetorin e nisjes së lëvizjes studentore për pluralizëm. Demokratët deklaruan se në sheshin "Skënderbej" u grumbulluan rreth 500 mijë simpatizantë në këtë festë, ndërsa socialistët, nëse nuk do të kishte pasur neglizhencë apo harresë, këto shifra mund t’i kishin me emra dhe firma konkrete. Mësohet se nisma ligjore është ruajtur nga selia rozë si mundësia e fundit e deputetëve socialistë për të hyrë në Kuvend dhe për të bërë me këtë rast betimin e tyre.PS: Berisha shkel KushtetutënDeputeti socialist i qarkut të Fierit, Pirro Lutaj akuzoi Kryeministrin Berisha se nuk zbaton Kushtetutën. Nisur nga një raporti i disa OJQ-ve mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, Lutaj shpreh se: "Njeriu që përbetohet për respektim të vendimeve të gjykatave, në një mënyrë krejt qesharake dhe të pavërtetë, pasi ka frikë se po i rreshket karrigia kryeministrore, nuk respekton Kushtetutën e vendit. I themi Sali Berishës, hap kutitë e votimit të 28 qershorit, ku mban të ndrydhur vullnetin e një populli që nuk të dha një mandat të dytë, ose largohu së bashku me kutitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›