E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e re e PD-së, 37 kandidatë në garë për 25 vende

 ADI SHKEMBIKëshilli Kombëtar i PD-së do të mblidhet në janar për të zgjedhur kryesinë e PD-së, sekretarin e përgjithshëm, dy nënkryetarët dhe sekretariatin. 100 anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi i fundit kombëtar i mbajtur në 14 dhjetor dhe 40 anëtarët e kooptuar do të zgjedhin 25 anëtarët e kryesisë, nga 37 kandidatë që do të jenë në garë. Burime zyrtare nga selia blu bëjnë të ditur se ky numër anëtarësh është i parashikuar në nenin 37 pika 2 e statutit të miratuar nga delegatët në muajin dhjetor. "Këshilli Kombëtar zgjedh nëpërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi, me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së Partisë nga një listë, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që krijohen", thuhet në statut. Por me ndryshimet e bëra në Kuvendin Kombëtar, edhe për kryesinë është sanksionuar detyrimi që kryesia e partisë të ketë 30% të anëtarëve femra. Kjo do të thotë se 8 anëtare do të jenë zonja dhe nëse ky numër nuk plotësohet në 25 kandidatët e parë, do të zbriten nga fituesit kandidatët meshkuj, derisa të plotësohet 30% kuota e grave. "Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 30%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja", thuhet në një paragraf të statutit. Zgjedhja e kandidatëveRregullorja e brendshme e Partisë Demokratike përcakton mënyrën se si zgjidhen kandidatët për anëtarët e kryesisë. Kryetari i partisë ka të drejtën ekskluzive për të zgjedhur 37 kandidatët që do të hyjnë në garë dhe nga të cilët do të dalin 25 anëtarët e rinj të këtij forumi. Kushti i vetëm për kandidatët është që ata të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Nga ky kriter përjashtohen menjëherë anëtarët aktualë të kryesisë, Aleksandër Biberaj, Omer Stringa, Antoneta Malaj, Maks Cikuli dhe Liri Dibra. Gjithashtu jashtë mbeten edhe 14 deputetë të cilët nuk kanë mundur të marrin votat e mjaftueshme nga delegatët për t’u futur në Këshillin Kombëtar. Anëtarët e Këshillit do të zgjedhin gjithashtu në janar edhe lidershipin e demokratëve, pas rikonfirmimit të kryetarit Sali Berisha në Kuvendin e këtij muaji. Gara do të zhvillohet për tre vendet kryesore, dy nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm. Sipas statutit të PD-së, njëri prej nënkryetarëve, aktualisht vendi që mbahet nga Astrit Patozi është edhe kryetar i grupit parlamentar, ndërsa tjetri, ndonëse jo e sanksionuar në statut, është kryetar ose nënkryetar i Kuvendit, sipas pozicionit të PD-së kur ajo është në pushtet ose opozitë. "Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje etj), sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar", thuhet në nenin 43 të statutit.Gara në sekretariatin e PD-sëKëshilli i ri kombëtar do të votojë edhe për 6 poste në sekretarin e partisë. Ndryshe nga gara për kryesinë kur kushti ishte që kandidatët të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar në garën për sekretarin ky kusht nuk është i domosdoshëm. Në janar Këshilli do të zgjedhë sekretarët e rinj. Sekretarin për çështjet Ligjore, post i cili aktualisht mbahet nga Ilir Rusmali, sekretarin për Pushtetin Lokal, që mbahet nga Ferdinand Poni, sekretarin për burimet njerëzore, post i fituar katër vjet më parë nga nënkryetari i grupit parlamentar, Ilir Bano, sekretar organizativ që mbahet nga deputeti Flamur Noka, sekretarin për partneritet, që drejtohet nga Genti Strazimiri dhe sekretarin për ekonominë, post që në 2005 u fitua nga Edmond Spaho. Ndërkohë posti i sekretarit për marrëdhëniet me jashtë, sipas statutit të Partisë Demokratike emërohet nga kryetari i partisë. Pak muaj më parë Berisha emëroi në këtë post Gerti Bogdanin, ish-zëdhënësin e PD-së, tani edhe deputet i qarkut të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›