Topalli: Bashkëjetesa fetare, populli shqiptar mendjendritur
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehet se bashkëjetesa fetare në Shqipëri është mençuri, është urtësi, është vizion për të ardhmen e vendit dhe kombit. Kryetarja e Kuvendit e ftuar në drekën festive të komuniteteve fetare dha vlerësimet maksimale mbi bashkëjetesën fetare që ekzistojnë në Shqipëri. Duke u ndalur veçanërisht në vlerën unike të kombit tonë, harmoninë mes feve Kryetarja e Kuvendit tha: "Ajo për të cilën unë dua të falënderoj secilin prej jush është e para dhe mbi të gjitha bashkëjetesa fetare. Ne jemi një shoqëri sekulare, shekullore dhe kjo është vlerë e jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se ne kemi qenë një popull mendje hapur prej vitesh e shekujsh dhe këtu kanë një kontribut të veçantë secili prej komuniteteve". "Ne shqiptarët kemi vlera të jashtëzakonshme që mund të përcjellim tek të tjerët. Kjo bashkëjetesë, ky bashkëpunim, ky mirëkuptim që ekziston midis nesh është modeli që ne mund të përcjellim përtej kufijve, edhe në vendet që janë më të zhvilluara edhe në vendet me një traditë më të zhvilluar demokratike. Kjo është vlera e vërtetë e një kombi dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë", deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se viti që vjen do të shënojë një ngjarje tjetër të madhe, do të jetë viti i lëvizjes së lirë, dhe nuk ka gjë më të rëndësishme për këtë komb i cili ndër shekuj ka qenë i izoluar. Në këtë takim që përcolli mesazhet e harmonisë mes komuniteteve fetare morën pjesë kreu i komunitetit mysliman, Haxhi Selim Muça, kreu i Kishës katolike, Imzot Rrok Mirdita, përfaqësuesi i Kishës ortodokse, Andon Merdani, kreu i Kryegjyshatës bektashiane, Dede Reshat Bardhi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.