Berisha: Më vjen keq për grevën, por kutitë nuk i hap

Kryeministri Berisha nuk ndryshon qëndrimin për hapjen e kutive.
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur sërish dje qëndrimin e tij të njohur se nuk mund të pranojë transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit, pasi nuk mund të dalë, sipas tij, mbi vendimet e gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet. Këtë qëndrim kreu i qeverisë e shfaqi në një prononcim për mediat, pasi kishte bërë më parë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit.
Duke iu referuar aksionit më të fundit politik të opozitës; grevës së urisë së deputetëve, e cila ka hyrë në ditën e pestë të saj, Berisha vuri në dukje se si Kryeministër shpreh ndjeshmërinë e tij ndaj kësaj greve, por kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi ai si kreu i pushtetit ekzekutiv nuk mund të trajtojë çështje të gjykatave.
"Natyrisht shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t'ia kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij.
Sikundër më duhet të them edhe një herë se Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh", - tha dje Berisha.
Lideri i mazhorancës ka specifikuar se protesta që bëhet para zyrës së tij është një nder për ata që kanë vënë në plan të parë vlerat e lirisë dhe se çdo qytetari vendit, sipas tij, është i garantuar që të ushtrojë të drejtat e tij Kushtetuese. "Është e vërtetë dhe unë për grevën e urisë kam vetëm një koment: në një anë fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë.
Dhe unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese",- u shpreh ai. Ky qëndrim indiferent i Kryeministrit Sali Berisha për zgjidhjen e krizës politike pason shumë të tjera, në një kohë që situata ka arritur kulmin e saj me grevën e urisë dhe faktori ndërkombëtar nuk mund t'i japë zgjidhje ngërçit politik.