E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa e LGI-së, garë mes Luzhiana Abazit dhe Klajda Gjoshajt

27-05-2012 / Gazeta 55

1800 delegate nga e gjithë Shqipëria sipas parimit “Një anëtar një Votë” votuan dje kandidaten e tyre të preferuar, ku në garë për Kreun e LGI-së për të gjithë Shqipërinë janë; Luzhiana Abazaj dhe Klajda Gjosha.
Duke falënderuar të pranishmet në “Pallatin e Kongreseve” për mbështetjen e dhënë kandidatja Luzhiana Abazaj u shpreh se, “ka ardhur momenti që ne te ecim më shpejt, të shohim përpara, të marrim vendin që na takon në drejtimin dhe zgjidhjen e problemeve të shoqërisë”. “Duhet të ecim më shpejt, të gjitha bashkë, për të zgjidhur sa më parë ngërçet, problematikat dhe dilemat që shoqërojnë jetën e përditshme të çdo shqiptari”, tha ajo.
“Të ecim më shpejt përpara, theksoi më tej Abazaj, pasi nuk ka kohë sepse fëmijët, vëllezërit, bashkëshortët, baballarët, nënat, motrat tona të gjithë njëzëri kërkojnë që vendim dhe zhvillimi i tij të ketë një ritëm tjetër. Dhe ne si gra kemi pjesën tonë të përgjegjësisë, vendimmarrjes por edhe të arritjes së qëllimit final i cili është rritja e cilësisë së jetës, integrimi i vendit në familjen e madhe evropiane”, vijoi ajo.
Lëvizja e Gruas për Integrim është një strukturë që mbart vlera dhe që i ka kapacitetet për të qenë përfaqësuese e denjë e vullnetit të të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm. LGI në emrin e saj është një lëvizje dhe si e tillë është e ndryshme nga çdo strukturë tjetër politike,. Ky emër, kjo ide, ky program dhe kjo filozofi janë garancia e ritmit që kërkojnë sot shqiptarët. Motra dhe nëna, të ecim më shpejt dhe këtë mund të bëjmë të gjitha së bashku. Prezenca juaj në këtë konventë vërteton forcën dhe vitalitetin tonë të pandalshëm”, tha ndër të tjera kandidatja Abazaj. Po ashtu dhe kandidatja Klajda Gjosha duke ju drejtuar të pranishmëve u shpreh se, “Ne do të luftojmë të ngremë sa më lart vlerat tona duke mbajtur fort njëra-tjetrën, duke lobuar për njëra-tjetrën dhe duke zgjeruar rrethin tonë shoqëror me sa më shumë mikesha që do të na ndihmojnë të bëhemi një zë i fuqishëm në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Ne do të promovojnë dhe mbështesim përfaqësueset tona më të denja, gratë më të forta dhe të vendosura për të t’i treguar të gjithëve se zëri ynë është fuqia jonë drejt rrjetit më të fuqishëm të gruas jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin.
“Sot shoh këtu se Lëvizja Socialiste për Integrim është si një shtëpi  e madhe, është ajo që ka bashkuar zemrat e të gjithave grave dhe vajzave ndaj ne kemi shumë punë për të bërë, shumë dyer për të trokitur, shumë kate të kësaj shtëpie për të ngritur sepse ka me qindra dhe mijëra gra të tjera që do të duan të jenë pjesë e shtëpisë sonë dhe ne i mirëpresim. Eksperienca ime personale më ka treguar se një grua nuk njeh limit në ato çka ajo mund të bëjë, duke nisur që nga ato gra që çojnë përpara familjet e tyre në rrethanat më të vështira e deri tek ato që sot janë ministre. Ndaj nëse duam të arrijmë objektivin tonë kryesor, anëtarësimin dhe integrimin e vendit tonë në BE, krahas standardeve të tjera duhet të fuqizojmë gratë si një forcë e madhe jetike në jetën sociale dhe politike”, tha më tej Klajda Gjosha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›