E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj: AAK-së dhe LDK-së në rrugë të ndara

Rrugët e bashkëpunimit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë janë ndarë. Kështu u shpreh kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, një ditë pas takimit me Presidentin e Kosovës dhe kryetarin LDK-së Fatmir Sejdiu, i cili ka hedhur poshtë ofertën e Haradinajt për zgjedhje të parakohshme parlamentare si dhe formimin e një koalicioni parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe AAK-së.

"Pasi që Presidenti në emër të LDK-së, vlerëson vazhdimin e gjendjen e tanishme, që për ne është e pa pranueshme, vetvetiu rrugët tona ndahen. Pra nga dita e djeshme, rrugët tona, partneriteti ynë në shumë aspekte tjera ndahen, sepse për ne vazhdimi i kësaj gjendje nuk është në dobi të vendit, proceseve politike dhe vlerësimit tonë që Kosova ka nevojë të ndal, gjendjen e tashme dhe trendët humbëse", tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Kreu i AAK-së, ka vlerësuar se ende vlen padia në Gjykatën Kushtetuese ndaj Presidentit të Kosovës, për moszbatimin e Planit të Ahtisaarit, i cili parashikon që zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen këtë vit. "Vlerësimi ynë për këtë padi ka rënë me kalimin e kohës, duke pasur parasysh mënyrën se si është krijuar Gjykata Kushtetuese. Pra dua të them se ne nuk kemi hequr dorë nga kjo padi, ne tashmë e kemi një padi të gatshme, nuk di se a do ta funksionalizojmë dhe kur, për shkak se nuk dëshirojmë që funksionalizimi i kësaj padie të jetë kundër-argument për ne, që dikush të sjellë një verdikt nga i cili ne nuk e shohim që është ndihmuar e drejta", vijoi Haradinaj.

Lideri i AAK-së në janar të këtij viti i dërgoi një letër Presidentit Fatmir Sejdiu, ku kërkonte zgjedhje të parakohshme parlamentare, por gjatë takimit të një dite më parë, Presidenti Sejdiu ka vlerësuar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mbahen gjatë këtij viti.

Shkëlzen Osmani < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›