E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Dëshmorët do t’i nderojmë pa akademi

Akademia përkujtimore me rastin e 11-vjetorit të rënies së dëshmorit Shkëlzen Haradinaj dhe 27 dëshmorëve të tjerë të Gllogjanit, duket se do të jetë e fundit e këtij lloji për këta dëshmorë. Këtë e ka paralajmëruar vëllai i dëshmorit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se meqenëse Kosova është në vitin e tretë të pavarësisë, përkujtimi dhe nderimi për të rënët do të vazhdojë pa akademitë, por do të vazhdojë te varrezat dhe në vendbetejat ku ata kanë rënë.

“Do të heqim dorë nga akademitë. Kjo nuk bëhet që të minimizohet vlera e lirisë, por në fakt të mbahet e atillë çfarë është, sepse kuptimin dhe freskinë e vetë e japin mu ato vende si vendi i betejës dhe vendi ku pushojnë të rënët”, ka thënë Haradinaj.

Nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, ka thënë se emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi i saj identifikohej edhe me emrin e Shkëlzen Haradinajt.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ka thënë me këtë rast se familja Haradinaj është evolucioni i qytetërimit që përbën qenësinë e vendit.

Të pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishin familjarë të dëshmorëve, zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar të komunave që udhëhiqen nga AAK-ja, ndërkaq nuk ishte asnjë përfaqësues tjetër i institucioneve të Kosovës, përveç deputetes së LDK-së, Nekibe Kelmendi dhe deputetit të AKR-së, Ibrahim Makolli. I pranishëm ishte po ashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Shkëlzen Haradinaj ka rënë dëshmor në Malet e Maznikut, më 16 prill 1999, bashkë me Luan Nimanajn, Fatmir Nimanajn dhe Hasim Halilajn. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›