E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria, kundër fabrikës pranë qendrave të banuara

Ish- shefi i Logjistikës: Donin ta ndërtonin në Bërzhitë, por ishte afër shtëpive. Me Gërdecin nuk u zbatua ky parim

TIRANË- Në seancën e djeshme të procesit "Gërdeci", njëri prej ish- zyrtareve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pohoi se kompania amerikane SAC, propozoi fillimisht rajonin e Bërzhitës, në periferi të Tiranës për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve.


Por për shkak të afërsisë së vendit të demontimit me rrugën dhe me zonën e banuar, ajo ishte anulluar, si vend i mundshëm demontimi. Ky fakt u pohua nga Bardhyl Hoxha, ish- shef i logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm nga korriku i vitit 2004 deri në mars të vitit 2007, i cili pohoi se për këtë vend Shtabi nuk kishte qenë dakord.


Madje ai dha edhe argumentet për këtë vend si të pa përshtatshëm për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve të tepërta që ishin në repartet ushtarake.


Sipas Hoxhës propozimi nga përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC (Southern Ammunition Company), në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kundërshtimi erdhi për faktin se Bërzhita ndodhej pranë qendrave të banuara dhe pranë saj kalonte dhe rruga automobilistike, duke bërë që të mos ishte vend i përshtatshëm për t'u liçensuar si vend për ndërtimin e një fabrike demontimi.


"Kompania SAC kishte shfaqur interes për demontimin e municioneve në Shqipëri që në dhjetor të vitit 2006. Por propozimi konkret është bërë më vonë, në zyrën e ish- sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai.


Unë u thirra në këtë takim nga Mullai, ku prezent ishte edhe Ylli Pinari, juristi i ministrisë dhe përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, ku ky i fundit na prezantoi në kompjuter një projekt të demontimit,- u shpreh ish- drejtori i Logjistikës, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Kjo drejtori kishte për detyrë të hartonte politikat e mbështetjes me infrastrukturë, armatim dhe municione Ushtrinë.


Pas këtyre propozimeve, drejtoria e logjistikës në SHPFA-së ka përgatitur një promemorje për Ministrinë e Mbrojtjes, ku propozohej që vendi i demontimit të zgjidhej me negociata midis dy palëve, midis ministrisë dhe Shtabit nga njëra anë dhe kompanisë amerikane nga ana tjetër.


Në seancën e djeshme, midis të pandehurve që mbahen në arrest me burg, ishin Ylli Pinari, ish- drejtor i MEICO-s, Dritan Minxholli, ish-drejtor i fabrikës së Gërdecit dhe Sokol Ngjeçi. Minxholli, pasi dëgjoi dëshmitë e ushtarakëve, deklaroi se asnjë zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka vajtur në fabrikë për të parë kushtet teknike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›