E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet e shtyhet

Salla e gjykimeve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë edhe të premten është mbushur përplot me njerëz në pritje të fillimit të seancës për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, edhe kjo seancë që është e shtata me radhë e paralajmëruar nga gjyqtarët ndërkombëtarë, pas disa minutave të zymtë të pritjes- dështoi. Kjo pasi që Albin Kurti nuk u paraqit në gjykatë as kësaj here, ndërkaq sjellja e tij as nuk u sigurua, as pas bastisjeve të policisë.

Po ashtu, përgjigje negative ftesës së EULEX-it për të qenë avokat mbrojtës i Kurtit i dha edhe një herë kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha.

Në seancën e së premtes, kryesuesi i Panelit, Ferdinando Buatier de Mongeot urdhëroi lëshimin e një fletarrestimi të ri për Albin Kurtin, si dhe lajmëroi që do të merren masat disiplinore kundër avokatëve që kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë gjykim.

Zyrtarë policorë bënë të ditur se policia nuk ka ndaluar kërkimet në kërkim të Kurtit, që është bërë në bazë të urdhër arrestit të lëshuar.

“Edhe të premten kemi vazhduar operacionin e kërkimit në bazë të urdhrit që ka lëshuar gjykata përkatëse, mirëpo deri më tani nuk është arrestuar Albin Kurti. Ai kërkohet gjithkund ku dyshohet se është”, tha zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Ndërsa, zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes deklaroi se të hënën do të vendoset së cilët do të jenë hapat e ardhshëm lidhur me këtë rast.

“Gjykimi është shtyrë për të hënën, sepse Kurti nuk i është përgjigjur gjykatës, pavarësisht nga urdhri për arrest që është lëshuar. Edhe avokati nuk ka qenë prezent. Kështu që do të ketë urdhër të ri për arrest dhe materiali për veprimet disiplinore do të dërgohet në Odën e Avokateve. Kjo është një detyrë që duhet të bëhet”, tha Herodes.
Ndërsa avokati Musa Dragusha, të premten nga zyra e tij ka deklaruar se kërkesa e EULEX-it është e jashtëligjshme, pasi që sipas tij, një avokat në funksion të kryetarit të OAK-së nuk është i disponueshëm për të vepruar ex officio në asnjë rast të veçantë penal, e as në ‘rastin Kurti’.

“Hipotetikisht unë do të mund të caktohesha që të veproj ex officio në një rast penal, pasi që gjykata të ketë marrë refuzimet e 526 avokatëve që veprojnë të licencuar në Kosovë. Caktimi im për të vepruar si avokat ex officio në një rast do të barazohej me caktimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në përbërjen e trupit gjykues, që sipas ligjit është e pamundshme”, tha avokati Dragusha.

Ai pohoi se OAK-ja është në komunikim të rregullt, pothuajse ditor, me drejtuesit e EULEX-it, në mënyrë që të sigurohet veprimi i avokatit ex officio në mbrojtjen e Kurtit.
Mosparaqitjen në gjykatë të avokatit Dragusha e kanë përshëndetur aktivistët e Vetëvendosjes, të cilët kanë kërkuar që ky shembull të ndiqet edhe nga avokatët e tjerë të OAK-së.

“Z. Dragusha më herët ka thënë se nuk vjen në seancë dhe ata qëllimisht e kanë caktuar atë. Ky është EULEX-i, i cili e cakton avokat pikërisht atë që ka refuzuar duke dashur që ta shkatërrojë dinjitetin e tyre moral dhe integritetin e avokatëve të Kosovës”, tha aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Edhe të premten, Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje prokurorit Ali Rexha që të mos qëndrojë prapa aktakuzës së EULEX-it të bërë ndaj Kurtit.

“Ne i tregojmë Ali Rexhës se Lëvizja Vetëvendosje! bën thirrje për rezistencë kundër UNMIK-ut, vrasjet e të cilit ai po i mbron dhe kundër EULEX-it, të cilit po i shërben me aq servilizëm”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komiteti i Vetëvendosjes për Politikë dhe Çështje Juridike.

Albin Kurti akuzohet për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-s, në të cilat u vranë dy protestues.

Ndërkombëtarët dënojnë sulmin ndaj avokatit Avni Gjakova
E kanë dënuar fuqishëm sulmin e djeshëm ndaj avokatit në rastin e Albin Kurtit, Avni Gjakova, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Fetih, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon dhe shef i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi.
Në një deklaratë të përbashkët ata kanë thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për sundimin e ligjit që institucionet dhe ata që e kanë për detyrë të punojnë me to të jenë në gjendje që të punojnë pa ndërhyrje politike, pa u penguar dhe pa dhunë.
“Respektimi i institucioneve dhe i atyre që punojnë në to është parim themelor i sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike dhe një nga vlerat kryesore evropiane”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›