E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolaps ajror

Edhe kosovarët janë solidarizuar me bashkëkontinentasit e tyre. Shumë udhëtarë kanë pritur në aeroportin e Prishtinës për ndonjë haber të mirë. Por ndodhi e kundërta, u anuluan dy fluturime. Ky është vetëm fillimi. Dita e shtunë do të shënojë numrin më të madh të anulimeve të fluturimeve. “Do të anulohen mbi 30 fluturime, ose 80 për qind e fluturimeve në aeroportin e Prishtinës’, ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i APN-së, Altin Ahmeti.

Nga 16 aeroporte që ka Gjermania, deri më tani po funksionojnë vetëm tri. Kjo do të reflektohet edhe në Kosovë, ngase shumica e destinacioneve nga Prishtina shkojnë për në Gjermani.
Shkaku ishte shpërndarja e vazhdueshme e rreve të zeza mbi qiellin e Evropës. Era i ka bartur ato edhe në Gadishullin Ilirik. Burimi i reve është disa qindra metra nën tokën e Islandës, ku një vullkan shpërtheu para disa ditëve.

Si rrjedhojë, janë anuluar mbi 20 mijë fluturime, duke shkaktuar kështu dëmet më të mëdha në historinë e aviacionit evropian. Dëmet deri më tani llogariten të jenë 120 milionë euro, por pritet që ato të rriten. Retë nuk do të largohen as të shtunën.

Zëdhënësi i ANP-së, Altin Ahmeti tha se operimi në këtë aeroport është zhvilluar mirë, por si pasojë e reve vullkanike, janë anuluar dy fluturime, ai i British Airwaysit dhe një i Montenegro Airlinesit. Ai tha se anulime më të mëdha pritet të ketë gjatë ditës së shtunë, pasi shumë aeroporte janë mbyllur në Evropë.

“Kemi pasur një anulim të British Airwaysit dhe Montenegro Airlinesit. Ndërsa të shtunën pritet të mbyllen edhe aeroporti i Frankfurtit dhe Shtutgartit dhe kështu do të ketë më shumë anulime edhe nga aeroporti i Prishtinës”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se reja e hirit vullkanik, e cila ka mbuluar thuajse gjithë qiellin e Evropës, mund të arrijë edhe në qiellin e Kosovës, mirëpo me një proces shumë të ngadalshëm dhe të një intensiteti tepër të dobët.

Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj i ka thënë Kosovapressit se varësisht nga drejtimi i erës që do të fryjë këto ditë, reja e hirit vullkanik mund të ketë ndikim në trafikun ajror të Kosovës.

“Hiri i cili është ngritur në kupën qiellore është ikona e eurozonave, të cilat qarkullojnë dhe varësisht nga drejtimi i erës që do të fryjë këto ditë, mund të ketë ndikim në transport e aviacionit. Meqenëse është diçka më e largët, faktikisht mund të arrijë këtu, mund të kenë lëvizje, por të një procesi më të ngadalshëm”, ka thënë Tahirsylaj.
Ai ka deklaruar se për shkak të shtypjes atmosferike, ndikimit të veriut në vend, këto grimca mund të vijnë gati të shpërndara.

“Momentalisht në vendin tonë është ndikimi i veriut dhe territori i vendit tonë për shkak të shtypjes atmosferike që është krijuar, këto grimca vijnë gati të shpërndara, të një intensiteti tepër të dobët, edhe nëse mbërrijnë humbet gjatë udhëtimit, vetëm ndonjë pjesë mund të arrijë gjatë erërave të cilat e barten”, ka thënë Tahirsylaj.

60 për qind e fluturimeve në Evropë janë anuluar, bën të ditur autoriteti për sigurinë e fluturimeve Eurocontrol në Bruksel. Reja prej hiri vullkanik mbërriti të enjten në mbrëmje në shtetet e Beneluksit dhe në veri të Francës dhe vazhdoi të lëvizë në drejtim të Gjermanisë. Të enjten në mbrëmje u mbyllën deri në një njoftim të dytë aeroportet në Hamburg dhe Berlin. Dy aeroportet e mëdha të Parisit do të mbylleshin nga ora 23.

Se si do të zhvillohet më tej situata, varet nga aktiviteti i vullkanit si dhe nga kushtet atmosferike. Sipas vlerësimit të Eurocontrolit në Bruksel, problemet mund të vazhdojnë edhe 48 orë të tjera.

Gjeologu islandez, Reynir Bëdvarsson, ka thënë për Radio Deutsche Welle se nuk pret që vullkani nën akullnajën në jug të Islandës të qetësohet së shpejti.
"Kjo gjendje do të vazhdojë ditë, javë e ndoshta muaj. E gjithë Evropa mund të preket nga pasojat dhe në varësi të drejtimit të erës, ndoshta edhe Amerika e Veriut. Për sa kohë vullkani do të vazhdojë të nxjerrë hi me këtë forcë, mund të ketë probleme transporti ajror në një zonë të madhe“, ka thënë ai.

Komisari i BE-së për Transportin, Siim Kallas, ka theksuar se me gjithë situatën e jashtëzakonshme, do të vazhdojnë të jenë të vlefshme të drejtat evropiane të pasagjerëve.
Kjo do të thotë që çdo pasagjer, i cili nuk mund të kryejë fluturimin e prenotuar, ka të drejtë të kërkojë nga shoqëria ajrore përkatëse ushqim dhe strehim në aeroport dhe në disa raste fjetje në hotel.

Përveç kësaj, pasagjerët e prekur mund të kërkojnë kthimin e çmimit të biletës së fluturimit. Por pasagjerët nuk kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtimin e zakonshëm financiar për anulimin e fluturimeve, apo vonesat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›