E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahu i Bukoshit

Ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi është treguar emocional gjatë përpjekjeve të tij për të arsyetuar emërimin e Ilir Tolajt si këshilltar të tij politik.

Bukoshi ka tërhequr një paralele absurde duke krahasuar largimet e dhunshme të regjimit serb të kryera gjatë viteve `90.

Duke përmendur emërimin e Ilir Tolajt si këshilltar të tij, Bukoshi ka përmendur një rast duke u nisur nga përvoja e tij.

“Edhe unë kam qenë i larguar nga pushteti i Miloshevicit, por jam kthyer prapë në punë”, ka qenë përgjigja e ministrit Bukoshi në pyetjen se si ai ka emëruar këshilltar Tolajn, njeriun i cili ishte shkarkuar nga pozita e u. D. të sekretarit permanent për shkak të dyshimeve për keqpërdorime dhe përfitime në mënyrë të paautorizuar.

Emri i Ilir Tojat është përmendur edhe në listën e Agjencisë Kundër Korrupsionit si i dyshuar për keqpërdorime dhe afera korruptive në kohën sa ka qenë në këtë pozitë.
Përderisa Bukoshi ka llogaritur Tolajn si dorën e tij të djathtë, ministri i Shëndetësisë me plot gojën ka thënë se një prej arsyeve që ka pranuar këtë pozitë ka qenë luftimi i korrupsionit dhe dukurive negative në shëndetësinë e vendit.

Sipas Bukoshit, luftimi i korrupsionit është edhe një nga parimet e tij. Megjithatë, ai e ka lënë në dorë të organeve të drejtësisë të merren me këshilltarin e tij, nëse ai ka bërë diçka të jashtëligjshme.

“Vendimi im ka qenë e drejta ime ekskluzive që të emëroj këshilltarë. Dosjet.... urdhëroni, le të punojnë hetimet, le të vazhdojnë dhe nëse pas hetimeve vërtetohet që Ilir Tolaj është në flagrancë, brenda dy orëve organet përkatëse le ta kryejnë punën e vet”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi.

Ministri i Shëndetësisë është impresionuar edhe me punën që ka bërë Tolaj në kohën sa ka qenë u.d. i sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, edhe pse emri i tij përmendet si i dyshuar në çdo institucion që lufton korrupsionin.

“Kjo s`është asgjë dramatike, e kam emëruar në kabinetin tim, sepse kam konsideratë për përvojat e tij, për punën e tij në këtë ministri, për aftësitë e tij që për mua janë të dobishme që të jetë afër meje si këshilltar”, ka thënë Bujar Bukoshi.

E, për kërcënimet dhe situatën e krijuar në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, ministri i Shëndetësisë ka thënë se është i njoftuar dhe se priten masa konkrete ndaj zyrtarëve që ditëve të fundit kanë tensionuar situatën në AKPM.

Ai ka thënë se koha e kërcënimeve dhe shantazheve ka kaluar dhe se në shoqërinë kosovare nuk ka vend për dukuri të tilla.

“Në këtë shoqëri kanë kaluar kohërat e kërcënimeve dhe ajo është e papranueshme, do të marrim të gjitha masat e duhura dhe janë në procedurë masat që do të merren ndaj atyre zyrtarëve të AKPM-së, e kam lutur edhe u.d. e sekretarit që nga ana jonë të merren masat adekuate, edhe organet e ndjekjes dhe hetuesisë janë të njoftuara me këtë”, ka thënë ai.

Raste të tilla Bukoshi ka thënë se nuk do të lejohen të përsëriten në AKPM pas largimit të kryeshefit ekzekutiv të këtij institucioni.

“Së shpejti emërimi do të ndodhë për atë pozitë, do t`ju informojmë me kohë, nuk është tuj i dalë flaka, ai zotnia është shkarkuar për shumë arsye tashmë të njohura, jemi duke punuar intensivisht. Raste të tilla nuk do të lejohen në AKPM, i kemi organet hetimore dhe po ashtu edhe burgjet...”, ka thënë ministri Bukoshi.

Në takimin e dytë që është mbajtur ndërmjet ministrit dhe drejtuesve të FSSHK-së, është arritur marrëveshje për pagesat në vlerë prej 44 eurosh.

“Ne kemi arritur që çështja e 44 eurove, siç e dini ju, është e përmbyllur. Ato të holla do të paguhen, këtë problem e kam trashëguar. Ne kemi arritur që përveç kësaj, edhe dy kërkesa të tjera të plotësojmë për Federatën. Ata do të marrin pjesë në grupet punuese për ligje”, ka thënë ai.

E, Bujar Bukoshi nuk ka harruar të dërgojë një falënderim të madh e publik për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Dua të them se kjo përmbyllje e kësaj historie të gjatë dhe e mërzitshme është arritur edhe me ndihmën e kryeministrit Thaçi, të cilin e falënderoj”, ka thënë ai.

Blerim Syla, kryetar i FSSHK-së, ka thënë se kjo sindikatë nuk ka pasur kurrë prioritet nxitjen e problemeve, por mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve shëndetësore.

“Jam i lumtur që lajmi, historia famoze është mbyllur. Ne kem mirëkuptuar edhe kërkesën e cila na ka ardhur për dialog social. Një risi në kuadër të Federatës ka ndodhur, ku do të formohet grupi monitoruese për të gjithë punëtorët shëndetësore, për ministrin, për menaxherët e spitaleve, shtëpive shëndetësore e të tjerë”, ka thënë Syla.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›