E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Jo qeverisjes me PDK-në

Ramush Haradinaj e shpall të dështuar Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Në një intervistë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se tani kur Kosova e ka mbyllur edhe një vit si shtet i pavarur, e ka të vështirë ta gjej një moment të mirë për vendin gjatë vitit 2009.
Duke u nisur nga kjo, ai shprehet se e përjashton çdo mundësi që AAK të hyjë në ndonjë marrëveshje koalicioni qeveritar me PDK-në pas zgjedhjeve, nëse ato mbahen në vitin 2010.
"Ofrojmë partneritet për qeverisje me partitë e spektrit të djathtë, mendoj në LDK-në dhe partitë tjera. Me PDK-në? Unë nuk mund të jap garanci për llojin e qeverisjes dhe cilësinë e qeverisjes në rast të një koalicioni me PDK-në. Nuk e synoj këtë, apo thënë ndryshe e përjashtoj këtë mundësi. Nuk mendoj se mund t'i ndihmoj vendit në një qeverisje të përbashkët me PDK-në", tha Haradinaj.
Lideri i opozitës në Kosovë thotë se qeverisja në Kosovë ka vazhduar trendin negativ gjatë vitit 2009, ndërsa shprehet se lajmin më të mirë që pret në vitin 2010 është ai i shpalljes eventuale të zgjedhjeve parlamentare të cilat Haradinaj nuk pranon t'i quajë të parakohshme.
"Ne shohim vazhdim të logjikave negative. është një gjendje e rëndë qeverisëse. Me këtë nivel qeverisës, edhe vendet më të zhvilluara do të bankrotonin. Ne veç kemi të bëjmë me një bankrotim politik të qeverisjes Thaçi dhe dihet kush i paguan këto dëme - qytetari i vendit", theksoi Haradinaj.
Në procesin e profilizimit të partisë, Haradinaj ka zgjedhur që AAK-në ta orientojë kah qendra e djathtë. Në këtë proces, ai ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me PD-në e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›