Haradinaj: Në vjeshtë, unë kryeministër

Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj thotë se nese nuk takon kryeministrin Thaçi deri në vjeshtë kur, sipas tij, do të mbahen zgjedhjet parlamentare, atëherë do ta takojë atë ditën e zgjedhjes si kryeministër. Kalendari politik i vitit 2008-të ka mbetur pa fotografinë e një takimi Thaçi - Haradinaj, aktualisht dy rivalëve kryesorë në skenën politike kosovare. Në vjeshtën e vitit 2009-ës, Haradinaj pret që të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe nga to të marrë votëbesimin e qytetarëve të vendit si kryeministër i ri i Kosovës. Nëse nuk shtrëngojnë duart deri në vjeshtë, Haradinaj thotë se planifikon që Thaçin ta takojë ditën kur ai beson se do të bëhet kryeministër, teksa Thaci të lërë këtë post. "Nëse nuk ndodh një takim paraprak me Thaçin, do të isha i kënaqur që të ndodhë takimi i pranim - dorëzimit. Por për mua ky është një moment i ndryshimeve dhe i krijimit të fitoreve për Kosovën. Dhe atë ditë e pres", deklaron kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri Haradinaj kritikon institucionet për mungesë të një projekti për të integruar veriun e vendit. "Në politikën e jashtme, pra në bërjen e Kosovës shtet në aspektin ndërkombëtar dhe në integrimin e territorit, ne kemi hyrë në një tranzicion, ku Prishtina zyrtare nuk është fare prezente me kontributin e vet se si duhet të ndodhë ky tranzicion", shtoi Haradinaj. Sipas Haradinajt, Prishtina ka të drejtë të përdorë forcën e rendit dhe të ligjit, forcën e sigurisë që t'i ushtrojë funksionet e veta edhe në veri.