E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Negocimi me PDK-në është serioz

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një bashkëbisedim me aktivistët e AAK-së në rajonin e Anamoravës, tha se negocimi dhe marrëveshja me PDK-në është serioze, por edhe e ndjeshme. “Sa më shpejt që e marr udhëheqjen e vendit aq më mirë është për Kosovën, në të kundërtën një vit humbje është i madh për vendin”, tha ai.Haradinaj në këtë tubim ka folur për procesin zgjedhor brenda AAK-së, lapidarin e UÇPMB-së dhe ofertën e tij për PDK-në.

Por, shtoi Haradinaj, “nëse nuk do të realizohej oferta, atëherë prapë do të sillemi me kujdes. Rruga jonë politike nuk do të ndryshojë përkundër faktit se marrëveshja me PDK-në, e përsëris, është tejet serioze. Nuk do flasim tepër, por do të punojmë më shumë e më mirë për vendin”, njofton rajonipress.

Ndërkaq, sa i përket procesit zgjedhor brenda AAK-së, kreu partiak tha se me të gjitha sfidat që ka pasur AAK-ja pas largimit të tij nga politika, sërish kjo parti mbetet shtylla kryesore e demokracisë në Kosovë. “Tani me këto zgjedhje të brendshme AAK mund ta rrisë kualitetin e saj të brendshëm, sepse me rritjen e kualitetit brenda AAK-së rritet demokracia në Kosovë. Dhe këtë kualitet e këta parametra do të mundemi t`i rrisim që nga niveli lokal”, tha Haradinaj.

Sipas tij, në Anamoravë po vjen koha e qeverisjes dhe e vendimmarrjes. “Tani ju, komunat e Kamenicës, Gjilanit, Vitisë e Artanës e keni shansin që të udhëhiqni me këto komuna dhe të jeni bartës kryesor të procesit vendimmarrës”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së të dielën në Gjilan ka komentuar edhe heqjen e lapidarit nga qeveria e Beogradit. “Nuk më ka ardh mirë heqja e lapidarit, sepse ato nuk janë vlera kundër askujt. Unë do të isha përulur para çdo lapidari dhe nuk do e kisha problem sepse janë vlera të një populli”, tha ai dhe pastaj shtoi se uron që liderët e Luginës të jenë unikë dhe të arrijnë një zgjidhje për lapidarin. “Dua të japi fjalë të kujdesshme me këtë rast, por edhe Beogradi duhet të ketë kujdes se si po sillet me shqiptarët e Luginës”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›