PDSH: Shqipëria dhe Kosova dështuan me monumentin

Lidhur me zhvillimet e sotme në Preshevë, ka reaguar përmes nënkryetarit të saj edhe Partia Demokratike Shqiptare.
Nënkryetari Imer Aliu ka dënuar në emër të PDSH-së veprimin e autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit, ndërsa ka kritikuar gjithashtu edhe sjelljen e lidershipit shqiptar.
“Që qeveria serbe vazhdon me politikat e vjetra kjo nuk është lajm, lajm do të ishte sikur pjesa dërmuese e lidershipit politik shqiptarë të ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe konform këtij realiteti të sillet politikisht. Është e parëndësishme që tani të flitet për fitues apo humbës pasi që kjo qasje edhe më shumë do të na zhyt në patriotizmin romantik, të dëgjuar me shumicë ditëve të fundit lidhur me këtë rast, dhe aq të dëshiruar nga pjesa dërrmuese e lidershipit shqiptar”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit kanë më shumë se kurrë nevojë për përkrahje nga të gjithë shqiptarët e në veçanti nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.
BDI-ja, Veprimi serb me lapidarin, akt Millosheviçian
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur sot indinjatë të thellë dhe dënon aktin qyqar të Qeverisë së Serbisë për të suspenduar vullnetin e autoriteteve legjitime në Preshevë dhe të qytetarëve shqiptar atje duke shkelur mbi të drejtat themelore të njeriut.
“Ky akt ‘Millosheviçian’ që nuk njeh dialogun si vlerë evropiane, vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk donë ta kupton realitetin e ri në rajon dhe po bëhet pengesa kryesore e Europianizimit të rajonit.
Ftojmë qytetarët shqiptarë në Luginë që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien pre e provokimeve qëllimkëqija. Vlerat e dëshmorëve të kombit janë të përjetshme dhe çdo herë që dikush tenton të shkel mbi to, ato bëhen edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme”,- tha zëdhënësi I BDI-së Bujar Osmani./Indeksonline