Haradinaj: Rivotimi është padrejtësi
Edhe pse dega e AAK-së, rivotimin në këtë komunë e ka quajtur padrejtësi, të mërkurën me takimin e strukturave udhëheqëse dhe në praninë e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës, nga kjo komunë ka nisur fushatën zgjedhore, duke u zotuar në rritjen e votave dhe njëkohësisht duke dëshmuar se rivotimi ishte vetëm një padrejtësi që kishte për qëllim degradimin e këtij subjekti politik për ta futur atë në një “thes” me ata që përqindjet e parregullsive në zgjedhjet e 12 dhjetorit I kishin marramendëse.
“Deçani padrejtësisht u fut në një “thes” me ata që e dhunuan votën, me ata që dëshmuan parregullsi në përqindje shumëfish më të lartë”, ka thënë Daut Haradinaj, kandidat për deputet, i cili ka nënvizuar se qëllimi është shumë i qartë që reflekton degradimin e këtij subjekti politik dhe njëkohësisht për ta detyruar këtë të jetë pjesë të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme e dështuar në mandatin e kaluar.
Pasi ka vlerësuar se në Deçan gjithmonë ka mbisunduar demokracia e cila është dëshmuar në zgjedhjet e të dyja niveleve, Haradinaj ka nënvizuar se pavarësisht nga kjo “njollë”, në zgjedhjet e 9 janarit siç tha ai,”do ia bëjmë me dije Uashingtonit dhe Brukselit se tradita e demokracisë në këtë komunë jo vetëm që ekziston, por edhe ka nivel të lartë.
Ai ka kërkuar pjesëmarrje masive në zgjedhje, të cilat sipas tij, jo vetëm që do të demantojnë vlerësimet për parregullsi, por njëkohësisht do të dëshmojnë traditën e demokracisë dhe rritën e përqindjes së votave për AAK-në.
Edhe kryetari i degës Rasim Selmanaj, ka thënë se Deçani gjithmonë ka ditur të bëjë zgjedhje të dinjitetshme. Sipas tij kjo do të dëshmohet edhe në zgjedhjet e 9 janarit.
“Fokusi ynë do të jetë të gjithë në zgjedhje të qeta dhe dinjitoze”, është shprehur ai duke treguar se fushata e filluar do të zhvillohet me të gjitha struktura, në lagje dhe familje. Ndërkohë, ai ka paralajmëruar vetëm një tubim elektoral i cili do të mbahet të premten në ambientet e pallatit të kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan.