Jeremic në gips, Tadic në karrocë
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, u shfaq të mërkurën në konferencën e ambasadorëve në Beograd me dorë në gips. Ndërkaq, shefi i tij, presidenti Boris Tadic, në karrocë, si pasojë e operacionit të thembrës.
Jeremic e lëndoi dorën gjatë një shëtitje në qendrën austriake të skijimit Hofgastein, ku më 23 dhjetor kishte shkuar për pushim.
Jeremic fillimisht tentoi që këtë informacion ta fshihte nga mediat, por Ministria e Jashtme e Serbisë më vonë e konfirmoi ngjarjen.
Jeremic planifikonte që në Austri të qëndronte deri më 29 dhjetor, por që në ditën e parë të qëndrimit atje u rrëzua gjatë një shëtitje, kështu që u detyrua që qysh të nesërmen të nisej drejt Beogradit. Në qendrën lokale shëndetësore iu vendos një longetë dhe u këshillua që të mos lëvizte.
E, me t’u kthyer në Beograd, atij iu vendos gipsi, të cilin duhet ta mbajë dy-tri javë.
As shefi i Jeremic, presidenti i Serbisë, Boris Tadic, në konferencë nuk erdhi i kompletuar. Edhe ai ka probleme ortopedike, andaj në konferencë u shfaq i ulur në karrocë, në të cilën sipas këshillave të mjekëve duhet të qëndrojë deri në shërimin e plotë, pas operimit të tetivës së akilit në VMA, në Beograd. Tadic u operua më 23 dhjetor, ndërsa tetivën e lëndoi duke luajtur basketboll.