E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Të largohet UNMIK nga Kosova

Lideri i opozitës në Kosovë, Ramush Haradinaj ka kërkuar largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara. Ish-kryeministri i Kosovës, dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi që UNMIK të largohet duke ia lënë vendin misionit të BE-së në Kosovë, Eulex. “Është koha të largoheni, sepse Kosova po hyn tashmë në një fazë të re, e cila përfshin vetëqeverisjen me ndihmën e Eulex”- ka thënë Haradinaj, pas takimit me William Walker, ish-shefin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. “Kushtetuta do të hyjë në fuqi detyrimisht më 15 Qershor”- është shprehur Haradinaj. Bazuar në propozimin për një “qeverisje të mbikëqyrur” të planit Ahtisaari, misioni i BE-së në Kosovë duhet të marrë patjetër kompetencat e plota të UNMIK si dhe të mbikëqyrë qeverisjen e re.Nga ana tjetër, si gjithmonë, aleatja e përhershme e Serbisë, Rusia është shprehur sërish kudër misionit Eulex. Sipas Walker, UNMIK duhet të deklarojë fundin e misionit të tij, i cili shpesh herë është cilësuar i dështuar, për shkak se kombet e bashkuara nuk arritën të realizonin objektivat kryesorë. “Ata që mund të qeverisën më mirë Kosovën, janë kosovarët- ka thënë Walker pas takimit me Haradinaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›