E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj, i lirë vetëm për një muaj

Kreut të AAK-së nuk i lejohet të marrë pjesë në fushatën zgjedhore

Tribunali i Hagës ka miratuar kërkesën për të liruar përkohësisht nga burgu  liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreut të AAK-së i lejohet qëndrimi në Kosovë nga 17 dhjetori deri më 14 janar të 2011 me një sërë kushtesh.  Kushti kryesor është që ai të mos largohet nga Prishtina, të mos bëjë asnjë deklaratë publike dhe çdo të dytën ditë të lajmërohet në policinë e EULEX-it. Haradinaj kishte bërë kërkesë për lirim të përkohshëm për të qenë afër bashkëshortes së tij, e cila pritet të lindë fëmijën e tyre të tretë në këtë periudhë kohore. Vendimi i dhënë nga Gjykata e Hagës e përjashton pjesëmarrjen qoftë edhe simbolike të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Kjo sepse ish-kryeministri do të udhëtojë për në kryeqytetin e Kosovës më datën 17, ndërkohë që partia që ai drejton e ka dominuar si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Ndërkohë, Tribunali një kërkesë të njëjtë ia ka refuzuar Lah Ibrahimajt. Në vendimin e gjykatës thuhet se atij i lejohet qëndrimi në Kosovë nga 17 dhjetori i këtij viti deri më 14 janar të vitit të ardhshëm. Gjatë asaj kohe, zoti Haradinaj duhet t’u përmbahet disa kushteve përfshirë edhe mospërfshirjen e tij në veprimtari politike dhe mosparaqitjet para mjeteve të informimit. Zoti Haradinaj kishte kërkuar lirimin e përkohshëm për të qenë afër bashkëshortes meqë çifti pret fëmijën e tretë.

Më 21 korrik të këtij viti, Gjykata e Hagës urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e gjykatës të prillit të vitit 2008, e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata ka pranuar ankesën e prokurorisë, e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dëshmitarëve kryesorë të rastit. Në fillim të muajit shtator,  gjykata refuzoi kërkesën e zotit Haradinaj për lirim të përkohshëm, meqë siç thuhej lirimi do të mund të nxiste mbështetësit e tij, që t’i frikësojnë dëshmitarët. Në vendim thuhej ndërkaq, se Ramush Haradinaj nuk paraqet rrezik personal për sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave, por është pranuar argumenti i prokurorëve, se lirimi i tij mund të tërheq më tepër vëmendje të mediave, duke e shtuar atmosferën kërcënuese për dëshmitarët. Garancitë për lirimin e përkohshëm të zotit Haradinaj ishin dhënë edhe nga Misioni i Bashkimit Europian për policinë dhe drejtësinë. Vendimi për rigjykim u mor më shumë se dy vjet pas lirimit të zotit Haradinaj si i pafajshëm nga kjo gjykatë. Në rigjykimin e pjesshëm data e të cilit ende nuk është caktuar do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›