E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Fitorja e PDK-së, sa autostrada Vermicë-Merdare

Fushata Kryeministri, tubime në Mitrovicë dhe në zonën e Llapit

Në ditën e shtatë të fushatës, Hashim Thaçi vazhdoi të kërkojë votën në pjesë të ndryshme të Kosovës. Ai qëndroi në Mitrovicë, Vushtrri dhe në Llap, ku kërkoi nga përkrahësit që të mobilizohen për secilën votë më 12 dhjetor. Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi para përkrahësve të tij në Podujevë ka folur për fitore në zgjedhjet e 12 dhjetorit, derisa ka kërkuar nga ata angazhim për secilën votë. Paralelisht me PDK-në, dje në Podujevë tubim zgjedhor ka mbajtur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “Ju ftoj që edhe këto ditë të fushatës që kanë mbetur, të vazhdoni angazhimin tuaj për një fushatë të qetë dhe të ndershme për një betejë për çdo votë, për një betejë të jashtëzakonshme. Një mesazh për bashkëluftëtarët e mi që ashtu siç ishim dje në istikame për liri, sot duhet të vazhdojmë të jemi bashkëluftëtarë të betejës demokratike për çdo votë, betejën për demokraci për zhvillimin e demokracisë”, ka thënë Thaçi. Lideri i PDK-së, i cili është prezantuar si një njeri që “e thotë atë që e mendon dhe që e bën atë që thotë”, ka bërë premtime edhe për llapjanët. “Të jeni të bindur se ne do të vazhdojmë me investime të fuqishme në të gjithë Llapin, qoftë në rrugë, shkolla, ambulanca, kanalizime, ujësjellës. Ne do ta ndryshojmë edhe më fuqishëm Llapin dhe unë ju garantoj siç e kemi filluar autostradën e ëndrrave të qytetarëve të Kosovës, autostradën e shekullit Vërmicë - Merdar”, ka thënë Thaçi. Lideri i PDK-së ka krahasuar autostradën me fitoren e PDK-së. “Po ashtu do të jetë fitorja e thellë e PDK-së nga Vërmica në Merdar dhe nga Hani i Elezit në Mitrovicë”, ka thënë ai. Para llapjanëve, Thaçi ka përmendur Adem Demaçin, të cilin e ka quajtur “të vetmin hero të gjallë të shqiptarëve”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›