E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj përshendet vendimin për liberalizim të vizave me Shqipërinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur vizitën e tij në veri të Mitrovicës, në mëhallën e boshnjakëve për të komentuar vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Haradinaj ka përgëzuar Shqipërinë për këtë arritje, ndërsa ka shfrytëzuar rastin për të kritikuar Qeverinë Thaçi për mos zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në veri të Mitrovicës, ku veprojnë strukturat paralele serbe.

“është shumë e freskët dhe përgëzojmë vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Integrimi i veriut për ne është një nga kushtet që ne të aftësohemi për liberalizim, për t’i kryer detyrat tona të shtëpisë. Kuptohet se për liberalizimin e vizave nevojitet vendosja e rendit dhe ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, trafiqeve dhe sigurimi i kufijve dhe një kontroll në kufi” tha Haradinaj.

Haradinaj u tha banorëve shqiptarë që jetojnë në veri të Mitrovicës se liberalizimi i vizave për Shqipërinë është një mesazh i mirë për ta, por edhe për serbët që jetojnë në veri të Mitrovicës.

“T’ju them të drejtën kjo që ndodhi dje me liberalizimin e vizave është një mesazh i mirë për të gjithë ata që jetojnë në veri për shqiptarët, për serbët, për turqit, sepse të gjithë e kanë interes vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë, vendosjen e juridiksionit, luftimin e trafiqeve dhe krimeve që zhvillohet në këtë pjesë të vendit dhe kontrollin e kufijve” tha Haradinaj.

Vizita e Haradinaj është zhvilluar dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve paralele serbe në veri të Mitrovicës. Kreu i AAK-së vizitoi shtëpinë e Veton Vidishiqit, në lagjen e Boshnjakëve, ku u zotua se integrimi i veriut dhe zbatimi i Kushtetutës edhe në këtë pjesë do të jetë prioritet i partisë së tij. Po ashtu, Haradinaj u takua edhe me kryetarin e komunës, Avni Kastrati.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e shtunë , 29 maj 2010 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›