E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Është rënduar gjendja në vend

Ramush Haradinaj, gjendjen në vend e sheh shumë më të rëndë se që kur ka shkuar në Hagë. Madje sipas tij, aq e rëndë është gjendja saqë nuk lejon ngucje të mëtejme të shoqërisë dhe të rendit shoqëror.

Sa i përket koalicionit me PDK-në, ai thotë se janë duke bërë një plan të marrjes së përgjegjësive, por që sipas tij, ende nuk ka përfunduar.

Kur u pyet për gjendjen e vendit, u pa i emocionuar, dhe thotë se nëse duket më pak kritik, është po i njëjti që ka qenë, por që sipas tij, po reflekton gjendjen ashtu si është.

“Unë jam i njëjti që kam qenë por po reflektojë gjendjen ashtu si është, sipas bindjes sime, ndoshta ju keni jetuar çdo ditë këtu dhe jeni imun ndaj gjendjes, pamja që kam unë është një pamje jo e mirë, një gjendje jo e lehtë me ndjeshmëri të madhe edhe politike edhe të natyrave të tjera. Qasja ime është reflektimi i gjendjes tani. Do të punojë jo me rëndu gjendjen në vend më tutje, por mundësisht me lehtësu këtë gjendje që është krijuar në Kosovë”, ka thënë ai.

Sa i përket koalicionit të mundshëm me PDK-në apo edhe kontributit që ai vazhdimisht e përmend se do të japin për vendin, ka thënë të mos e ngacmojnë sepse ende nuk e ka të qartë se çfarë do të vendos.

Por, pranon se janë duke bërë një plan për marrjen e përgjegjësive, i cili duket se ende nuk është final.

“Ne jemi të interesuar edhe në marrjen e përgjegjësive në qeverisje në të ardhmen, kemi një projekt ideor të padefinuar, do ta zhvillojmë në kohë.......jemi duke e zhvilluar një projekt të marrjes së përgjegjësive, nuk e kemi të përfunduar, jemi në zhvillim e sipër, sapo të kemi informata, do të jem transparent ndaj qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

Këto deklarata Haradinaj i ka dhënë pas takimit me Këshillin drejtues të partisë që udhëheqë, nga ku u bë me dije se nënkryetari i saj, Blerim Shala pati takimin e fundin në mbledhjen e këtij Këshilli.

Shala me këtë rast ka thënë se ka qenë e vështirë periudha sa ka munguar i zoti i shtëpisë, por që sipas tij, të këqijat kanë mbetur në të kaluarën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›