Hoxhaj: Del Ponte e ka keqpërdorë pozitën e saj

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, gjatë qëndrimit të tij në Pragë, Hoxhaj tha se del Ponte kishte inicuar rigjykim të ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me akuza për krime të luftës, pa kurrfarë provash dhe me këtë e ka dëmtuar imazhin e Kosovës.
“Ne mendojmë se Carla del Ponte i ka keqpërdorë autoritetet e saj dhe kompetencat dhe qeveria jonë ka kërkuar hetim adekuat, të plotë, lidhur me atë se si ajo kishte inicuar përsëri procesin e dytë kur për të nuk ka pasur asnjë lloj të fakteve. Tashmë gjykata ka konfirmuar se kjo nuk ishte e domosdoshme. Ne shpresojmë se do të kemi qartësi të plotë lidhur me këtë çështje, pasi ajo e kishte turpëruar dinjitetin e zotit Haradinaj, të shtatasve tanë dhe të Kosovës në tërësi”, tha Enver Hoxhaj.
Javën e kaluar Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës e liroi Ramush Haradinajn, nga të gjitha akuzat për krime të luftës gjatë konfliktit të vitit 1998-1999.
Rrjedhimisht, qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë kërkuar hetime lidhur me punën e del Pontes.
Tash për tash nuk ka pasur komente nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës i Kombeve të Bashkuara.