E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pala serbe i do paratë nga Jarinja e Bërnjaku për komunat veriore?

Kryeministri Hashim Thaçi, nesër do të takohet në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Takimi zhvillohet me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Përmes një komunikate për media zyra e kryeministrit konfirmoi takimin e tretë të këtij niveli, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Kurse një ditë para këtij takimi mediat serbe raportojnë se Beogradi kërkon që paratë e mbledhura nga pikat doganore në vendkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë të dërgohen në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

“Të ardhurat nga doganat në Jarinjë dhe në Bërnjak nuk do të shkojnë në buxhetin e Prishtinës, por në një llogari të veçantë, nga e cila më pas do t’iu dërgohen komunave serbe në veri të Kosovës, ndërsa doganieret kosovarë atje do të jenë vetëm vëzhgues”, shkruan e përditshmja serbe “Veçernje Novosti”. Këtë gjë, sipas kësaj gazete, pala serbe do ta propozojë në dialogun teknik që zhvillohet në prag të takimit mes dy kryeministrave.

Ndërkohë, shefi i ekipit serb në dialogun teknik, Dejan Paviçeviq, ka thënë se protokolli teknik për marrëveshjet nuk mund të ndryshojë, edhe pse një gjë e tillë po kërkohet me ngulm nga serbët e veriut të Kosovës.

“Do të mundohemi që kërkesat e njerëzve tanë t’i përfshijmë në dokumentet, që do ta përcjellin zbatimin e IBM-së. Në këtë po punojmë në mënyrë intensive dhe shpresoj se do kemi sukses”, ka theksuar Paviçeviq.

Përveç doganave, serbët e veriut të Kosovës kundërshtojnë edhe dokumentet e Kosovës si dhe tabelat e automjeteve, për të cilat çështje janë arritur marrëveshje në Bruksel. Siç raportojnë mediat serbe, liderët e serbëve, sërish do të takohen me presidentin serb, Tomisllav Nikolliq të martën, për t’u njoftuar në lidhje me marrëveshjet.

Serbët kanë kërcënuar se do të vendosin sërish barrikadat, nëse nuk përmbushet kërkesat e tyre. Kosova e Serbia në dialogun teknik kanë arritur deri më tash 7 marrëveshje, zbatimi i të cilave ka shënuar ngecje. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›