E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj skeptik për strategjinë e Qeverisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Prishtina zyrtare të ketë aftësisë e veta për të zbatuar ligjshmërinë në veri të vendit.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith ka deklaruar të dielën se rreth strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës në sistemin kosovar do të konsultohet me Beogradin dhe se zbatimi i saj nuk nënkupton zgjidhje të imponuar dhe as përdorimin e dhunës.

Lidhur me këtë deklaratë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rmaush Hardinaj ka thënë të hënën se AAK-ja ka pas vërejtje të vazhdueshme për Qeverinë Thaçi për mungesën e një plani për veriun.

“Ju e dini në vërejtjet e Aleancës për Qeverinë Thaçi, qysh në nisje, ka qenë mungesa e një plani qeverisës nacional dhe mungesa e një plani për veriun e vendit, integrimi ose shtrirjen e induksionit në veri. Kjo strategji e shpallur tash mendoj që ka me pas sfidat e veta, meqenëse kemi thënë çdo herë se zbatimi është me rëndësi, një plan sa do i mirë në letër, pa një fuqi ekzekutive mund të ketë vështirësitë e veta në zbatim. Pra ne jemi skeptik në aspektet e zbatimit të kësaj strategjie, sa do më u përdor forca nuk mendojmë që ka nevojë për forcë, por zbatimi i ligjit është i nevojshëm në veri”, ka theksuar Haradinaj, siç raporton Kosovapress.

Në pyetjen e gazetarëve se a duhet të diskutohet me Beogradin për strategjinë e veriut, Haradinaj ka kërkuar nga Prishtina zyrtare të ketë aftësinë e vet për të zbatuar ligjshmërinë në veri të vendit dhe nëse kjo arrihet atëherë nuk ka pse të përfshihet Beogradi, pasi veriu është pjesë e Kosovës.

“Nëse Kosova ka aftësitë e veta, nuk ka nevojë, se është brenda territorit të Kosovës, ndërsa se aftësitë zbatuese të Prishtinës të mangëta, atëherë me siguri ata të tjetër kanë me pas influencë, ose rolin e vet. Pra do të ishte me rëndësi që Prishtina zyrtare të ketë aftësisë e veta në zbatues të ligjshmërisë në veri”, tha ai.

Qeveria e Kosovës konsideron se strategjia për veriun do t’iu japë fund strukturave paralele, të cilat ekzistojnë në këtë pjesë të vendit që nga përfundimi i luftës.

Strategjia për shtrirjen e legjitimitetit të Kosovës edhe në pjesën veriore është në proces të hartimit, mbështetur në konsultat mes institucioneve vendore dhe partnerëve relevantë ndërkombëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›