E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buja pret konfirmimin e tretë

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore për rivotim në Lipjan në orët e para të mesnatës të së hënës, duke vënë poster të kandidatit të saj, kryetarit aktuale të Lipjanit Shukri Buja me slloganin “Ne fitojmë prapë”, ndërkaq në konferencën për media në mesditë, Buja ka vlerësuar se ky do të jetë konfirmimi i tretë i tij si kryetar i Lipjanit.

Ai ka thënë se vendimi për rivotim është i padrejtë, i cili ka interferime politike, mirëpo PDK-ja si parti që ka punuar për ndërtimin e këtyre institucioneve ka vendosur që të pranojë rivotimin më 31 janar.

Akuzave për vjedhjen e votave nga ana e PDK-së, Buja u është përgjigjur me fakte për vjedhjen e votave nga LDK-ja, përderisa ka thënë se asnjë vendvotim tjetër nuk është verifikuar se ka pasur vjedhje votash.

“Akuza ka pasur edhe për Gjilanin dhe u hetuan dhe u verifikuan votat dhe s’po i pranojnë prapë. Akuza ka pasur edhe në Lipjan, edhe pse shumë mirë dihet kush janë vjedhësit, sepse pa u ankuar askush në Komisionin e Ankesave, është anuluar një vendvotim dhe ai vendvotim është Smallusha, ku hapur ka vjedhur Xhelal Krasniqi, me emër e mbiemër, është nën hetime dhe është nip i Imri Ahmetit. Ai është anuluar për shkak të vjedhjeve. Nuk ka ndonjë qendër të votimit, në të cilin ka mundur të verifikohen vjedhja e votave, ndërsa hapur është vjedhur në Smallushë dhe kjo është verifikuar edhe me anulimin e Smallushës qysh ditën e votimit”, ka thënë Buja.

Për interferimet politike në rivotimin në Lipjan, Buja ka përmendur edhe faktin që presidenti Sejdiu ende nuk po arrin të bëjë emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Gjykatën Supreme, pjesë e së cilës do të jetë edhe kryetarja e KQZ-së Nesrin Lushta.

Duke bërë të ditur për mbështetjen që ka nga AKR-ja, LDD-ja, PD-ja, PLK-ja dhe BDA-ja, Buja ka ftuar gjithë elektoratin që të mos bjerë pre e kurrfarë provokimesh, por të dëshmojnë se janë për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai me këtë rast ka mohuar edhe shkrimet në disa media, të cilat thonë se Bujës i është marrë pasaporta nga ana e EULEX-it. Buja thotë se e ka pasaportën, madje me vizë shengen, por këtë e quan propagandë të kundërkandidatit të tij.

Një propagandë tjetër, sipas tij është ajo që thuhet se Buja nuk i ka marrëdhëniet e mira me amerikanët, përderisa ka një investim prej 2 milionë e 400 mijë eurosh nga USAID-i për ndërtimin e ujësjellësit në disa fshatra, por edhe propaganda tjetër se gjoja Buja nuk i ka raportet e mira me kryeministrin Thaçi, të cilat ai i mohon tërësisht.

“Të gjitha këto propaganda janë në nivelin e propagandës së zgjedhjeve, mirëpo është tejkaluar edhe vija e kuqe, sepse në zgjedhje duhet të kemi kujdes, sidomos në propagandën kundër njëri-tjetrit që e cenon individualitetin dhe personalitetin e njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Shukri Buja në dy raundet ka qenë i pari me vota në raport me kundërkandidatin e tij nga LDK-ja Imri Ahmetin, ndërkohë që është shprehur i gatshëm të pranojë çfarëdo rezultati që mund të dalë nga ky rivotim, ndonëse shpreh bindjen e thellë se elektorati do të dijë ta jap votën siç ka votuar në dy raundet e mëhershme./kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›