Haradinaj,pranon ndërmjetësimin Ugandë-ADF

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka konfirmuar njoftimet rreth mundësisë së angazhimit të tij si ndërmjetësues në dialogun mes qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në Ugandës, ADF. Në një komunikatë për shtyp thuhet se Haradinaj preferon që qeveria e Ugandës dhe Forcat Demokratike Aleate të deklarohen për këtë çështje, kurse ai vetë është i gatshëm që të ndihmojë për arritjen e paqes në këtë proces. Ish- kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar gjithashtu se në një moment më të volitshëm në të ardhmen, ai do të japë sqarime edhe më të hollësishme për këtë proces. Javën e kaluar, agjencia e lajmeve "France Press" njoftoi se emri i Haradinajt është propozuar nga rebelët myslimanë në Ugandë, për të ndërmjetësuar në bisedimet paqësore me qeverinë në Kampala. Zëdhënësi i Forcave Demokratike Aleate, Asad Mukasa kishte deklaruar se kanë zgjedhur Haradinajn për shkak të përvojës së tij. Emri i tij nuk është kundërshtuar as nga qeveria e Kampalas. Ministri për punë të brendshme në Ugandë, Matia Kasaija, ishte shprehur se nuk kishin kundërshtime mbi këtë përzgjedhje. Kryengritja e Forcave Demokratike Aleate filloi në vitet '90, teksa luftimet më të ashpra u zhvilluan ndërmjet viteve 1996-2001. Si pasojë e këtyre luftimeve dhjetëra mijëra njerëz në rajonin Ruenzori, në perëndim të Ugandës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.