I akuzuari për tortura në Guantanamo kthehet në Britani
Binjam Muhamed, personi që ndodhej në qendër të akuzave rreth torturave gjatë qëndrimit në kampin amerikan në Guantanamo që nga viti 2004, është kthyer në Britaninë e Madhe. Muhamed, banor i Britanisë së Madhe me origjinë etiopiane, ka deklaruar përmes avokatit të tij se i është nënshtruar një përvoje të cilën nuk do të mund ta kishte imagjinuar as në ankthet më të mëdha. Ai shprehet se ishte rrëmbyer, ishte çuar nga një vend në një tjetër dhe se ishte torturuar me metoda mesjetare dhe të gjitha këto, sipas tij, nën orkestrimin e qeverisë amerikane. Muhamed ishte arrestuar në Pakistan në prill të vitit 2002, ku sipas avokatëve të tij është mbajtur për rreth katër muaj, kohë në të cilën, ai tregon se është torturuar nga agjentët e inteligjencës pakistaneze. Ai është dërguar në Marok, me anë të një avioni të CIA-s në korrik të 2002-it, ku është torturuar sërish. Muhamed akuzohej se trajnonte anëtarë të Al Kaedës për shpërthime ndaj rrjetit amerikan të transportit në Afganistan e Pakistan. Ndërkohë, ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband, ka përshëndetur lirimin e Muhamed dhe është shprehur se Londra zyrtare mirëpret angazhimin e Presidentit amerikan Barak Obama përsa i përket mbylljes së burgut të Guantanamos. Milliband theksoi se me kthimin e Binjam Muhamedit është shënuar hapi i parë drejt një objektivi të përbashkët.